Irani sulmon me dronë Bahreinin
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po përshkallëzohen sërish, pasi Teherani ka ndërmarrë sulme të reja me dronë ndaj Bahreinit, ku ndodhen instalime të rëndësishme ushtarake amerikane.
Sipas raportimit të CNN, Bahreini ka njoftuar të dielën se sistemet e tij të mbrojtjes ajrore kanë interceptuar dhe shkatërruar disa dronë iranianë, pas një incidenti të ngjashëm të regjistruar të premten.
Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) ka pretenduar se ka shënjestruar një bazë amerikane të helikopterëve në Bahrein, konkretisht sistemet e radarëve të mbrojtjes ajrore në bazën Al-Rifaa. Sipas pretendimeve iraniane, në këtë operacion janë përdorur gjashtë dronë.
Megjithatë, autoritetet e Bahreinit kanë deklaruar se sulmet janë parandaluar nga sistemet e mbrojtjes ajrore, pa konfirmuar pretendimin e Teheranit se baza amerikane është goditur.
Sulmet kanë shkaktuar shqetësim në mesin e banorëve, ndërsa autoritetet e Bahreinit kanë lëshuar paralajmërime për rrezik dhe u kanë kërkuar qytetarëve të qëndrojnë në vende të sigurta.
CNN raporton se sulmet e fundit vijnë në një kohë kur Irani po përpiqet të rrisë presionin ndaj vendeve të Gjirit, përderisa ekonomia e tij po përballet me pasojat e bllokadës amerikane dhe sanksioneve ndërkombëtare.
Në anën tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka dhënë sinjale se administrata e tij po e humb interesimin për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin. Ai ka bërë të ditur se nuk e sheh më si prioritet një marrëveshje me Teheranin, ndërsa negociatat mes dy vendeve kanë ngecur.



