Oligarkët rusë po i kthejnë shpinën Putinit, nisin të mendojnë për Rusinë pa të

16 nëntor 2026 | 08:04

Për vite me radhë kanë heshtur dhe janë nënshtruar para Vladimir Putinit, por tani disa nga oligarkët më të pasur të Rusisë kanë filluar të mendojnë për një të ardhme pa të. Sipas një analize të BBC-së, një pjesë e elitës ekonomike ruse po e sheh gjithnjë e më shumë regjimin aktual si një rrugë pa dalje, ndërsa po shqyrton se çfarë mund të ndodhë pas largimit të presidentit rus nga pushteti.

Në takimin e mbajtur në Kremlin më 24 shkurt 2022, vetëm disa orë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës, Putini mblodhi miliarderët më të pasur të vendit për të kërkuar mbështetjen e tyre për luftën. Asnjëri prej tyre nuk guxoi të fliste.

Një nga bashkëbiseduesit e BBC-së e përshkroi atë moment si një skenë ku njerëzit që zakonisht e shohin veten si “meshkuj alfa me steroide”, para Putinit ishin shndërruar në “nxënës të nënshtruar dhe pothuajse të dëshpëruar”.

Që nga ardhja e tij në pushtet, në vitin 2000, Putini ka arritur ta vërë nën kontroll elitën ekonomike ruse. Shembulli më i njohur është ai i Mihail Hodorkovskit, dikur njeriu më i pasur në Rusi, i cili kaloi dhjetë vjet në burg dhe i mohoi vazhdimisht akuzat ndaj tij.

Sot, sipas Forbes, Rusia ka 155 miliarderë, pasuria e përbashkët e të cilëve arrin në afro 700 miliardë dollarë. Ata që kritikuan luftën humbën pasuritë, ndërsa ata që qëndruan besnikë ndaj Kremlinit përfituan kontrata fitimprurëse shtetërore të lidhura me luftën.

“Janë të pasur sepse kanë lidhje me Putinin, e jo anasjelltas”, tha për BBC-në Dmitrij Nekrasov, ish-këshilltar në Kremlin.

Megjithatë, kjo heshtje duket se ka filluar të çahet.

Andrej Melniçenko, prodhuesi më i pasur rus i plehrave artificiale, dha së fundmi një intervistë të rrallë për revistën The Economist, në të cilën u shpreh në favor të përfundimit të sundimit të një njeriu të vetëm dhe hapjes më të madhe të Rusisë ndaj botës. Ndonëse nuk kërkoi drejtpërdrejt largimin e Putinit, deklaratat e tij u interpretuan si një sinjal i pazakontë nga brenda elitës së pasur ruse.

Arkadij Ostrovski, gazetar i The Economist, i cili zhvilloi një bisedë disaorëshe me Melniçenkon, vlerëson se miliarderi nuk po fliste vetëm në emrin e tij.

Sipas tij, në mënyrën se si oligarkët më të pasur po e shohin të ardhmen e Rusisë po ndodh një “zhvendosje historike dhe politike”. Shumë prej tyre ndihen se lufta i ka çuar në një qorrsokak, pa perspektivë për të ardhmen.

Edhe analistja Aleksandra Prokopenko e sheh intervistën e Melniçenkos si një mesazh për pjesën tjetër të elitës ekonomike, që të fillojë të flasë hapur.

Madje, sipas saj, ka ndryshuar edhe mënyra se si oligarkët i referohen Putinit. Në të kaluarën e quanin “shefi”, “i pari” apo thjesht “VV”, ndërsa tani, prapa dyerve të mbyllura, i referohen si “gjyshi”, një shprehje që, sipas Prokopenkos, përdoret me një dozë përbuzjeje.

Çfarë duan oligarkët pas Putinit?

Nëse Putini largohet nga pushteti, sipas Kushtetutës ruse, detyrën e presidentit përkohësisht do ta merrte kryeministri aktual, Mihail Mishustin.

Megjithatë, bashkëbiseduesit e BBC-së identifikojnë tri skenarë të mundshëm për të ardhmen e Rusisë: një sistem demokratik, një autokraci të re ose rikthimin e një sistemi oligarkik të ngjashëm me atë të viteve ’90.

Demokracia shihet si skenari më pak i mundshëm, pasi institucionet shtetërore janë dobësuar dhe shkatërruar gjatë sundimit të Putinit.

Për oligarkët, alternativa më tërheqëse do të ishte rikthimi i një sistemi ku elita e biznesit do të kishte sërish ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrje. Ostrovski e përshkruan këtë mundësi si një lloj “republike oligarkike”.

Sipas Prokopenkos, të pasurit rusë dëshirojnë rikthimin e kohës kur mendimi i tyre merrej parasysh, pasuria e tyre ishte e sigurt dhe rregullat e lojës ishin të qarta.

Disa prej tyre, sipas saj, dëshirojnë gjithashtu rikthimin e politikës në jetën publike, me më pak represion, më shumë liri të shprehjes dhe konkurrencë të vërtetë mes partive dhe politikanëve.

Megjithatë, pritshmëritë për ndryshime të afërta mbeten të ulëta.

Financieri amerikan Bill Browder, një prej kritikëve më të zëshëm të Kremlinit, dhe investitori amerikan Michael Calvey, i cili kishte zhvilluar biznes në Rusi dhe ishte arrestuar atje më 2019, vlerësojnë se oligarkët nuk do të ndërmarrin asgjë kundër Putinit sa kohë ai është në pushtet.

Frika nga burgu dhe humbja e pasurisë i mban ata të heshtur.

Browder shkon edhe më tej në vlerësimin e tij, duke pretenduar se Putini mund të urdhëronte vrasjen e oligarkëve nëse ata do të guxonin t’i kundërviheshin.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Çmimet e larta të energjisë në tregjet ndërkombëtare dhe varësia…