Humben 40 satelitë të Amazonit, goditet projekti për internetin satelitor
Një mision hapësinor që synonte të zgjeronte rrjetin e internetit satelitor të Amazonit ka përfunduar me dështim, pasi një raketë që transportonte 40 satelitë nuk arriti t’i vendoste ata në orbitë.
Sipas agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Reuters, raketa Vulcan, e kompanisë United Launch Alliance (ULA), pësoi një defekt rreth 10 minuta pas nisjes nga Florida, më 15 nëntor.
Si pasojë, ngarkesa prej 40 satelitësh, të destinuar për rrjetin e internetit satelitor Amazon Leo, u shkatërrua.
Ky është dështimi i parë i një misioni për programin satelitor të Amazonit, i cili synon të krijojë një rrjet të madh satelitësh në orbitën e ulët të Tokës, për të ofruar internet me shpejtësi të lartë edhe në zona ku infrastruktura tradicionale është e kufizuar.
Kompania ULA ka konfirmuar se raketa ka pësuar një anomali gjatë fluturimit, por shkaku i saktë i incidentit ende nuk është përcaktuar.
Humbja e këtyre 40 satelitëve përbën një goditje për planet e Amazonit, e cila synon të konkurrojë me rrjetin Starlink të Elon Musk në tregun gjithnjë e më konkurrues të internetit satelitor.



