Dyfytyrësia e Marta Kos: Bën presion për dënimin e krerëve të UÇK-së, ndërsa në forumin që udhëheq jehon kënga nacionaliste serbe
Interpretimi i melodisë së një kënge nacionaliste serbe, që mohon shtetësinë e Kosovës, në hapje të Forumit të Zgjerimit në Bruksel, ka nxitur reagime të shumta në Kosovë.
Një gjë e tillë ka nxjerrë në pah edhe dyfytyrësinë e Bashkimit Evropian në raport me Kosovën.
Kjo pasi, në kohën kur lidershipi i BE-së po bën presion për të penguar fuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, në skenat e forumeve të Brukselit po dëgjohen melodi nacionaliste serbe kundër Kosovës.
Dyshimet ndaj BE-së janë rritur edhe për shkak të reagimit të butë të Komisioneres së BE-së për Zgjerim, Marta Kos, e cila personalisht po lobon te vendet anëtare të BE-së për t’i bërë presion Kosovës që të mos miratohet Ligji për Specialen.
Pas këtij veprimi, që po konsiderohet skandaloz, ajo ka shprehur vetëm keqardhje për një gjë të tillë.
“Shpreh keqardhje për përzgjedhjen e këngës nga ana e muzikantëve. Kjo këngë në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Komisionit Evropian”, ka thënë Kos para gazetarëve.
Keqardhja e saj ka ardhur vetëm pas reagimeve të shumta të Qeverisë së Kosovës dhe liderëve të partive opozitare.
Zyrtarja e BE-së kishte qenë shumë më e ashpër në reagimet e saj ndaj Ligjit për Gjykatën Speciale.
Ajo kishte folur dhe kishte shkruar kundër këtij ligji.
Duke folur para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, më 12 tetor, Kos kishte kritikuar ndryshimin e rregullave ligjore ndërkohë që proceset gjyqësore janë ende në zhvillim.
“Dua të jem e qartë se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Kosovë bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj BE-së. Kjo është e papranueshme”, ishte shprehur ajo.
Sipas saj, ndryshimi i rregullave gjatë zhvillimit të një procesi gjyqësor bie ndesh me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit.
Reklamë
“Mesazhi im është shumë i thjeshtë. Zgjerimi evropian po ecën përpara. Nëse vendet kandidate bëjnë hapa prapa, ato nuk janë në rrugën e duhur dhe nuk do të mund të bëhen anëtare të BE-së”, ishte shprehur ajo.
Reagime të shumta ndaj skandalit
Interpretimi i melodisë nacionaliste serbe në forumin e BE-së është dënuar ashpër në Kosovë.
Reagimin më të ashpër e ka bërë ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hoxhaj ka kritikuar Komisioneren e BE-së për Zgjerim, Marta Kos.
“Kosova e ka vendin në tryezën e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Nacionalizmi serb nuk e ka vendin në skenën e tij. Në hapje të Forumit të Zgjerimit në Bruksel u interpretua melodia e një kënge nacionaliste serbe që mohon shtetësinë e Kosovës. Kjo është më shumë se skandaloze. Pasi Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, po lobon që udhëheqja e UÇK-së në Hagë të dënohet, duke bërë kudo presion kundër Ligjit për Gjykatën Speciale, tani në forumin që ajo e udhëheq po lëshohen këngë nacionaliste me pretendime territoriale ndaj vendit tonë”, ka shkruar ai.
Edhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar.
Për një gjë të tillë, ajo ka fajësuar edhe Qeverinë e Kosovës.
Në profilin e saj në “Facebook”, Osmani ka shkruar se aleatët nuk largohen pa pasoja.
“Aleatët nuk i largon dot pa pasoja. Armiqtë nuk presin derisa ti ta kuptosh dëmin. Dhe këtë çmim nuk po e paguan pushteti, por Kosova. Sot, përmes këngëve nacionaliste serbe në organizime të BE-së, ku Kosova as nuk ftohet. Nesër, me goditje edhe më të rënda. Organizatorët e këtij forumi në BE duhet të japin shpjegime dhe të mbajnë përgjegjësi për këtë akt të papranueshëm. Por nuk mund të presim që Brukseli të na i zëvendësojë miqtë që ky pushtet i ka dërguar me duart e veta”, ka shkruar Osmani.
Kurse, kryetari i Aleancës, Ardin Gjini, ka vlerësuar se BE-ja po tregon se nuk është serioze me Kosovën.
“Të lejosh këngën nacionaliste serbe në hapjen e Forumit të Zgjerimit të BE-së, nën organizimin e Komisionit Evropian dhe Marta Kos, është fyerje e rëndë ndaj shtetit tonë. Brukseli duhet të japë sqarim për këtë lëshim. BE-ja sonte tregoi se nuk po e merr seriozisht Kosovën, e kjo nuk ndodh rastësisht. Kur vetë qeveria jonë sillet me papërgjegjësi dhe nuk e merr seriozisht shtetin e vet, nuk mund të presim që të na marrin seriozisht të tjerët. Me diplomaci të dështuar, me raporte të prishura me aleatët dhe me Kosovën e lënë jashtë tavolinave kryesore, kjo qeveri ia ka hapur derën provokimeve të tilla në mes të Brukselit”, ka shkruar ai. /Nacionale



