Lëvizje të reja diplomatike për fundin e luftës, por Zelensky paralajmëron përshkallëzim nga Rusia

17 nëntor 2026 | 07:54

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi ditën e sotme, 16 nëntor, se ka zhvilluar bisedime të reja online me të dërguarit e presidentit amerikan, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, si dhe me përfaqësues të disa vendeve europiane, për mundësinë e përfundimit të luftës me Rusinë.

Në fjalimin e tij të mbrëmjes, Zelensky bëri të ditur se diskutimet u përqendruan te hapat e ardhshëm diplomatikë dhe mundësitë për arritjen e paqes. Ai theksoi se pala ukrainase po merr pjesë në këto përpjekje në mënyrë sa më konstruktive, duke shprehur shpresën se negociatat do të japin rezultate.

Në bisedime morën pjesë përfaqësues nga Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Italia dhe Polonia. Zelensky tha se këto vende do të përfaqësohen edhe në takimet e ardhshme me negociatorët rusë. Ai e cilësoi diskutimin si të vështirë, por bëri të ditur se palët ranë dakord të takohen në Berlin, në kuadër të nismës “Koalicioni i të Gatshmëve”, që mbështet Ukrainën.

Megjithatë, nga Moska erdhi një qëndrim ndryshe. Yuri Ushakov, këshilltar i Kremlinit, deklaroi se Rusia nuk ka dhënë ende miratimin për pjesëmarrjen e përfaqësuesve europianë në raundin e ardhshëm të negociatave për Ukrainën. Ky qëndrim bie ndesh me deklaratat e negociatorëve amerikanë, të cilët pas takimeve në Moskë kishin lënë të kuptohej se europianët do të merrnin pjesë në bisedimet e ardhshme.

Takimet e fundit zhvillohen më pak se një javë pas negociatave të para trepalëshe mes përfaqësuesve të SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë, të mbajtura në Abu Dhabi pas nëntë muajsh pa bisedime të këtij formati.

Përveç zhvillimeve diplomatike, Zelensky paralajmëroi edhe për rrezikun e sulmeve të reja ruse. Sipas tij, inteligjenca ukrainase ka informacione se Rusia po përgatit goditje të mëdha ndaj objektivave në Ukrainë, të cilat mund të ndodhin të hënën në mbrëmje, gjatë natës dhe të martën.

Presidenti ukrainas ngriti gjithashtu shqetësimin për mbështetjen ushtarake që Koreja e Veriut po i jep Moskës. Duke iu referuar të dhënave të inteligjencës ukrainase, ai tha se Rusia po merr çdo muaj dhjetëra raketa balistike nga Koreja e Veriut.

Sipas Zelenskyt, përdorimi i këtyre raketave në luftën kundër Ukrainës po ndihmon Korenë e Veriut të përmirësojë efektivitetin e armëve të saj, duke krijuar rreziqe jo vetëm për Ukrainën, por edhe për sigurinë e rajonit të Azisë Lindore.

Në përfundim, Zelensky paralajmëroi Moskën se çdo sulm i ri ndaj Ukrainës do të marrë një përgjigje nga pala ukrainase.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Pas tetë vjetësh në pozitën e drejtorit rajonal të Policisë…