AGK-ja i del në mbrojtje gazetares Shpresa Hasimi, kërkon nga KOHA të tërheqë padinë prej 5 mijë euro
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim të thellë për padinë e ngritur nga Grupi KOHA ndaj gazetares Shpresa Hasimi, përmes së cilës kërkohet kompensim financiar prej 5 mijë eurosh për shkak të largimit të saj nga puna para përfundimit të një periudhe pesëvjeçare, transmeton Periskopi.
Në reagimin e saj, AGK-ja e ka cilësuar këtë veprim si të paprecedentë dhe jashtëzakonisht shqetësues, duke theksuar se është veçanërisht problematike kur një shtëpi mediatike ndërmerr veprime ligjore ndaj një gazetareje që ka kontribuar në atë medium.
Sipas deklarimit publik të Shpresa Hasimit, nënshkrimi i dokumentit të quajtur “Kontratë mbi Sponsorizimin e Trajnimeve Profesionale” ishte vendosur si kusht për punësimin e saj, pas një periudhe trajnimi dhe pune praktike që, sipas saj, ishte kryer pa kompensim financiar.
Përmes këtij dokumenti, gazetarja ishte zotuar për një periudhë pesëvjeçare, ndërsa largimi para përfundimit të saj ka bërë që Grupi KOHA të kërkojë 5 mijë euro kompensim financiar.
AGK-ja vlerëson se praktika të tilla mund të krijojnë një precedent të dëmshëm për gazetarët dhe të prodhojnë pasiguri në marrëdhëniet e punës në sektorin medial.
Sipas Asociacionit, kërkesat e tilla financiare rrezikojnë të ushtrojnë presion mbi profesionistët e medias dhe të cenojnë lirinë e tyre për të marrë vendime të pavarura lidhur me zhvillimin profesional dhe karrierën.
AGK-ja ka bërë të ditur se qëndron në solidaritet të plotë me gazetaren Shpresa Hasimi dhe do ta mbështesë atë me të gjitha kapacitetet institucionale dhe profesionale.
Përfaqësimin ligjor të gazetares po e bën avokati Yll Zekaj, zyrtar ligjor i AGK-së, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Duke theksuar se respekton pavarësinë e gjyqësorit dhe pa paragjykuar vendimin përfundimtar të gjykatës, AGK-ja i ka bërë thirrje Grupit KOHA që ta tërheqë padinë ndaj gazetares.
Në fund të reagimit, Asociacioni ka theksuar se shtëpitë mediatike duhet të jenë shembull në mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe në krijimin e kushteve të drejta të punës, e jo të ndërmarrin veprime që mund të perceptohen si presion financiar dhe profesional ndaj tyre.
AGK-ja ka paralajmëruar se do ta përcjellë nga afër këtë proces gjyqësor dhe do të vazhdojë angazhimin për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve në Kosovë.



