Rrëzohet aeroplani luftarak MiG-29 në Serbi, humb jetën piloti – çfarë po raportohet për rastin

17 nëntor 2026 | 23:28

Një pilot i ushtrisë serbe ka humbur jetën pasi aeroplani luftarak MiG-29, pjesë e Brigadës së 204-të Ajrore, është rrëzuar mëngjesin e 17 nëntorit në afërsi të Stara Pazovës, rreth 45 kilometra nga Beogradi.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë bëri të ditur se aksidenti ndodhi rreth orës 08:45. Piloti është identifikuar si majori Goran Bulajiq, i cili shërbente në ushtrinë serbe që nga viti 1996, ka shkruar BBC në gjuhën serbe, transmeton Gazeta Express.

Policia ushtarake serbe është duke hetuar rastin, ndërsa është njoftuar edhe prokurori kompetent. Ministria e Mbrojtjes së Serbisë ka formuar një komision për të përcaktuar rrethanat e aksidentit dhe përgjegjësinë eventuale të ushtrisë, si dhe një komision ekspertësh të Forcave Ajrore për të zbardhur shkaqet e rrëzimit. Ministri i Mbrojtjes, Bratislav Gashiq, dhe përfaqësues të Shtabit të Përgjithshëm kanë dërguar telegrame ngushëllimi për familjen e pilotit.

Sipas portalit të specializuar Tango Six, ky është aksidenti i 14-të me mjete fluturuese të ushtrisë serbe që nga pavarësia e Serbisë në vitin 2006 dhe i teti me pasoja fatale.

Në këto aksidente kanë humbur jetën gjithsej 13 pjesëtarë të ekuipazheve, një ushtar në tokë dhe tre civilë, ndërsa shtatë pjesëtarë të ekuipazheve janë lënduar. Në aksidentin e fundit fatal me një MiG-29, më 7 korrik 2009, pranë aeroportit ushtarak të Batajnicës, kishin humbur jetën piloti nënkolonel Rade Ranxheloviq dhe ushtari Milan Ulemek.

VIDEO

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Nga Richard Haass, Project Syndicate Në parim, samiti i planifikuar mes presidentëve…