Biden për Zelenskyn në librin e kujtimeve: I luhatshëm në disponim, jo aq mirënjohës sa prisja

18 nëntor 2026 | 12:15

“Promise Me, America” është botuar pak para ditëlindjes së 84-t të ish-presidentit amerikan, ndërsa ai po përballet me kancer të avancuar.

Në librin e ri të kujtimeve, Joe Biden ka kritikuar ashpër Volodymyr Zelenskyn, i cili e ka udhëhequr Ukrainën gjatë katër vjet e gjysmë luftë kundër Rusisë. Sipas Bidenit, presidenti ukrainas ishte “i vështirë për të punuar me të”, “i luhatshëm në disponim dhe kokëfortë në bisedat tona private” dhe “jo aq mirënjohës sa prisja” për mbështetjen diplomatike dhe ndihmën ushtarake amerikane, shkruan “The Guardian”.

Libri i kujtimeve i Bidenit, “Promise Me, America”, është botuar të martën, pak para ditëlindjes së tij të 84-t, ndërsa ai po përballet me kancer të avancuar të prostatës. Libri, kryesisht një lavdërim i arritjeve gjatë mandatit të tij, me pak pranime të dështimeve, të cilat përfundimisht kulmuan me vlerësimin e vetë partisë së tij se ai nuk ishte i përshtatshëm për detyrën dhe me detyrimin për t’u tërhequr nga gara e vitit 2024 kundër Donald Trumpit, nuk është pritur mirë nga kritikët.

Lufta në Ukrainë zë një pjesë të madhe të mesit të librit. Duke përshkruar bisedimet zhgënjyese me Vladimir Putinin, presidentin rus, Biden ka rrëfyer zhvillimet që çuan në luftë dhe bashkëpunimin ShBA-Ukrainë nga pushtimi i shkurtit 2022 deri në largimin e tij nga detyra në janar 2025.

Portreti i tij për Zelenskyn nuk është tërësisht negativ.

“Kam pasur shqetësime se presidenti Zelensky, i cili vinte nga një prejardhje kaq e pazakontë [si komedian dhe aktor], mund të mos kishte cilësitë e duhura për një krizë si kjo”, shkruan Biden. “Kjo nuk ishte komedi televizive”. Por ish-presidenti ka shtuar se është impresionuar nga qëndrueshmëria e Zelenskyt dhe se ishte “i kënaqur që shqetësimet e mia rezultuan të pabazuara”.

Biden gjithashtu ka vlerësuar aftësitë komunikuese të Zelenskyt dhe e ka përshkruar vizitën e tij sekrete në Kiev në shkurt të vitit 2023, kur djali i atëhershëm 10-vjeçar i Zelenskyt ia dhuroi Bidenit një vizatim të një sistemi të mbrojtjes ajrore të furnizuar nga ShBA-ja dhe mesazhin: “Faleminderit që e ndihmoni babanë tim të na shpëtojë të gjithëve”.

Por këto lavdërime zbehen nga vlerësimi i Bidenit për Zelenskyn si përfitues të mbështetjes amerikane.

Biden shkruan: “Sigurisht, ishim krenarë për aleatët tanë ukrainas. Por duhet ta pranoj se mund të ishte e vështirë të punohej me Zelenskyn”.

“Sa të guximshëm ishin ai dhe ukrainasit, ata e testuan durimin tonë në shumë raste, duke kërkuar më shumë armatime dhe para. Shtetet e Bashkuara kanë burime të jashtëzakonshme, por ato nuk janë të pakufizuara. Populli amerikan duhet ta dijë: ne morëm një kthim të mirë nga investimi ynë; pothuajse të gjitha paratë u shpenzuan në Shtetet e Bashkuara për sistemet tona të armëve, një shpenzim që çoi në më shumë vende pune brenda vendit”.

“Zelensky mund të ishte i luhatshëm në disponim dhe kokëfortë në bisedat tona private, dhe jo aq mirënjohës sa do të prisja. Kjo mund të ishte zhgënjyese dhe unë ia bëra të qartë këtë pa asnjë ekuivok. Megjithatë, refuzova t’i braktisja ukrainasit, të cilët kishin një shpirt të jashtëzakonshëm luftarak. Edhe Zelensky e kishte këtë shpirt”.

Vlerësimi i Bidenit sjell jehona të pakëndshme të sjelljes së Trumpit dhe JD Vance, të cilët e fyen dhe e nënçmuan Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë në shkurt të vitit 2025, duke e akuzuar se ishte gjoja mosmirënjohës dhe “i pasjellshëm”. Edhe zyrtarë të lartë të administratës Trump e kanë fyer Zelenskyn. Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, sipas raportimeve, e kishte quajtur atë “një bastard të vogël”, “fëmijë me nevoja të veçanta” dhe “Mr Bean nën ndikimin e kokainës”.

Në përgjigje të sulmeve të Trumpit, Zelensky i ka thënë “Fox News”: “Jam mirënjohës ndaj presidentit Trump dhe Kongresit, për mbështetjen dypartiake, dhe gjithmonë kam qenë shumë mirënjohës në emër të të gjithë popullit tonë”.

Një vit e gjysmë më vonë, duke vazhduar ta udhëheqë luftën e Ukrainës kundër Rusisë, Zelensky po përpiqet gjithashtu të negociojë paqen, ndërsa synon ta pengojë Trumpin të bëjë shumë lëshime ndaj Rusisë. Zelensky nuk ka komentuar menjëherë vlerësimin e Bidenit.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Rrjeti i klasifikuar NSANet, të cilin Agjencia e Sigurisë Kombëtare…