‘CNN’: Del jashtë funksionit rrjeti i klasifikuar i komunikimeve të sigurisë kombëtare në ShBA

18 nëntor 2026 | 11:55

Rrjeti i klasifikuar NSANet, të cilin Agjencia e Sigurisë Kombëtare e ShBA-së (NSA) e përdor për komunikimet e brendshme dhe shkëmbimin e informacioneve sekrete, ka dalë jashtë funksionit pas një problemi teknik.

Sipas “CNN”-it, gjashtë persona të njohur me çështjen kanë bërë të ditur se NSA-ja, të martën në mbrëmje, e ka kufizuar punën në selinë e saj, duke lejuar që vetëm personeli kryesor të paraqitej në kampus, derisa po punohej për rikthimin e rrjetit.

Vendimi ka ardhur vetëm disa orë pasi punonjësit ishin njoftuar se mund të ktheheshin në punë normalisht, raporton “CNN”.

Në një deklaratë, NSA-ja ka thënë se problemi ka ndodhur gjatë mirëmbajtjes rutinore të planifikuar, duke theksuar se janë prekur disa sisteme të brendshme, por kapacitetet kritike për misionin kanë mbetur funksionale.

Ndërkaq, drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, ka deklaruar se ndërprerja ka ardhur si pasojë e instalimit të një përditësimi të softuerit, i cili synonte adresimin e disa dobësive të zbuluara muajin e kaluar.

“Përditësimet që janë bërë pas kësaj kanë shkaktuar që disa prej këtyre sistemeve të mos rikthehen në funksionim kur instalohen përditësimet, ashtu siç pritet. Kjo është ajo që ka ndodhur sot në NSA”, ka thënë Clayton për “Fox Business”.

Deri më tani, sipas burimeve të “CNN”-it, nuk ka prova se ndërprerja është shkaktuar nga ndonjë sulm kibernetik.

Një ish-zyrtar i lartë i NSA-së ka thënë se NSANet përbëhet nga disa rrjete dhe ka sisteme rezervë, prandaj ndërprerja mund të ndikojë në analizat dhe raportimet, por jo domosdoshmërisht ta paralizojë punën e agjencisë.

Ndërkaq, zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë kanë bërë të ditur se problemi nuk e ka prekur aftësinë e agjencisë për t’i përcjellë informacione urgjente të inteligjencës presidentit Donald Trump, i cili ndodhet në udhëtim në Azi.

Sipas tyre, qeveria amerikane ka në dispozicion sisteme rezervë dhe rrjete alternative për komunikim të sigurt me presidentin.

Ndërprerja në NSA vjen pas disa problemeve të tjera të mëdha teknologjike që kanë prekur institucionet dhe kompanitë në ShBA, përfshirë sistemet e aviacionit dhe shërbimet e “Microsoft”-it.

Nuk është hera e parë që rrjetet kompjuterike të NSA-së përballen me probleme të tilla. Në vitin 2000, një defekt teknologjik i la jashtë funksionit kompjuterët e agjencisë për gati tri ditë, duke ndërprerë edhe përpunimin e informacioneve të inteligjencës në selinë e saj në Fort Meade, Maryland.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk i ka kursyer…