Sali Berisha në foltore, Edi Rama e thumbon: Po të bien pantallonat, ik tani
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk i ka kursyer sulmet ndaj mazhorancës gjatë seancës së sotme plenare.
Duke iu drejtuar mazhorancës me epitetin “Banda e Lalzit”, Berisha ka thënë se kjo qeveri nuk ka legjitimitet për të diskutuar apo miratuar buxhetin, pasi, sipas tij, ka dalë nga zgjedhje të plaçkitura.
“Ju mblidheni këtu si banda e Lalzit.
A e kuptoni ju se çfarë përshtypje keni bërë tek shqiptarët ju?
A e kuptoni ju se çdo gjë mund të dukeni, por zyrtarë nuk jeni më?
A e kuptoni që Padrino të gjithë fjalën e kishte kundër jush se po i vjen fundi?
A e kuptoni ju që nuk keni asnjë të drejtë morale të merreni me buxhetin?
Ju nuk keni legjitimitet.
Ju keni humbur çdo legjitimitet.
Ju keni dalë nga zgjedhje të plaçkitura dhe keni mbrojtur korrupsionin.
A e kuptoni ju që mullari i zi në raportin e Bashkimit Evropian qëndron Lubia dhe Palloshi i Gjatë?
Çfarë buxheti do të miratoni ju?
Dhe mburreni, 10 miliardë vjedhje.
10 miliardë vjedhje me paketën fiskale të ndëshkimit të shqiptarëve.
A jetoni në Shqipëri apo jo?
A e dini ju se EUROSTAT-i deklaroi dje se për shqiptarët, të ardhurat janë rritur, varfëria është shtuar?
A e dini o qytetarë pse ka ndodhur kjo?
Sepse janë pjesëtuar prodhimi i përgjithshëm për frymë me gjithsej 2 milionë e 200 mijë shqiptarë.
Por po t’i krahasosh me çmimet, shqiptarët janë më të varfrit në Evropë.
Në qoftë se maqedonasit blejnë me çmime që janë 60 për qind e çmimeve evropiane, shqiptarët blejnë me çmime që janë 110 për qind të çmimeve evropiane.
Po pse?
Sepse Padrino me kartelet e drogës ka zhytur Shqipërinë në narkoeuro, narkodollarë.
A e dini ju pse janë rritur të ardhurat?
Se raporti i lekut me dollarin është në qiell.
Pra, çfarë do t’u bëni ju më keq shqiptarëve se tani t’ua rrisni edhe taksat.
Se tani t’ua rrisni edhe më tej çmimet.
Çmimet janë 110 për qind të mesatares evropiane.
Tani me këtë paketë do t’i përzini prapë.
Të parët që duhen përzënë nga Shqipëria jeni ju, po nuk do të përziheni, do të shkoni atje ku e keni vendin”, është shprehur Berisha.
Në fund të fjalës së kreut të opozitës, nga vendi, kryeministri Edi Rama dëgjohet t’i ketë thënë: “Sali, po të bien pantallonat, ik tani”.



