REZISTENCA SHQIPTARE E ARMATOSUR KISHTE NJË KURS TË VETËM: ÇLIRIMIN NGA SERBIA

18 nëntor 2026 | 16:40

Shkruan: Hajdin Abazi

Organizimi ndaras i rezistencës sonë të armatosur

Historia e luftës sonë çlirimtare w viteve 1998-1999 nuk ka nevojë të mohojë asgjë nga ajo që ishte reale e që kishte ndodhë, sepse pikërisht ajo e bën më të saktë të vërtetën e saj.
Në këtë kuptim, nuk ka asnjë arsye që të mohohet fakti se rezistenca jonë e armatosur kundër robërisë serbe nuk kishte një organizim monolit, po ishte një organizim i bërë ndaras.
Sepse, ashtu ishte.
Organizimi i rezistencës së armatosur të shqiptarëve të robëruar nga Serbia është bërë ndaras. Ndonëse e kishin filluar institucionet kosovare të asaj kohe, nuk ishte finalizuar organizimi ushtarak e madje ishte pasivizuar ai.
Pikërisht për këtë, në terren nga viti 1993-1994 rezistenca e armatosur kundër terrorit shtetëror serb u be kryesisht përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si lëvizje guerile e dalë nga lëvizja atdhetare ilegale dhe gjiri i popullit.
Pas daljes publike të UÇK më 28 nëntor 1997 që e nxori si faktor të vetëm të rezistencës së armatosur, dhe sidomos pas rezistencës madhore dhe rënies heroike të Komandantit Adem Jashari dhe familjes që i ranë kambanave të zgjimit kombëtar dhe lufta çlirimtare nisi të përhapej nga Drenica edhe në Rrafshin e Dukagjinit, i aktivizoi edhe institucionet kosovare, sidomos qeverinë Bukoshi në ekzil dhe oficerët shqiptarë dhe vendosën të themelonin Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).
Bazat e stërvitjeve, fondet e luftës dhe rekrutimet ishin të ndara, dhe ashtu mbetën deri në fund të luftës.
Kjo është e vërtetë, sepse ashtu ishte.
E vërtetë e cila ishte rezultat i qasjeve të ndryshme, pikënisjeve dhe formave organizative të një populli të cilin Serbisë e përndiqte dhe e luftonte me terrorin çdo përpjekjeje për organizim të shqiptarëve për liri.
Por qëllimet dhe objektivi nuk ishin të ndara, ishin një e njëjta: luftë armikut deri në çlirim
Për ata që nuk i njohin rrethanat e atëhershme dhe përcaktimet e shqiptarëve të Kosovës, mund t’u duket diçka e stisur post festum, se organizimet ndaras të rezistencës sonë nuk çuan në konfrontime të armatosura midis tyre.
Por, fatmirësisht, kjo është absolutisht e vërtetë.
Dhe kjo është madhështia e luftës sonë çlirimtare.
Po, vallë, si ishte e mundur kjo?
Fakti është se, ndonëse organizimet ishin të ndara, ajo që nuk ishte e ndarë dhe ndryshe ishte qëllimi.
Qëllimi ishte i njëjtë për organizimet e ndara – e ai ishte kundërvënia terrorit dhe gjenocidit serb ndaj shqiptarëve si dhe çlirimi nga Serbia.
Sigurisht, ndryshonte dinamika, qasja, perspektiva dhe angazhimi në terren.
Në këtë kuadër ndryshonte retorika, diskurset, qëndrimet e përkatësive, besimet, motivet, dhe ndonjëherë nga ndonjë individ edhe kishte teprime në fjalor, ndonjë ngacmim, apo etiketim; edhe ndonjë veprim të papërgjegjshëm.
Porse objektivi, prej të cilit nuk u devijua asnjëherë, ishte dhe mbeti lufta me arme kundër armikut dhe vetëm kundër armikut.

Nuk kishte luftë e konfrontime, po konkurrencë e garë se kush do të godiste armikun më shumë

Kur është objektivi i njëjtë – ekskluzivisht goditja e armikut, dhe qëllimi i njëjtë – çlirimi i atdheut e i popullit, nuk ka asnjë logjikë e arsye reale që të ketë luftë të ndërsjellë.
As konfrontim të armatosur midis forcave çlirimtare me përkatësi të ndryshme organizative.
Luftë e konfrontime me armë mund të ketë vetëm kur forcat e një kombi kanë qëllime të ndryshme kombëtare (p.sh. disa për çlirim e disa kundër); ose edhe kur qëllimet finale mund të jenë kombëtare, ndjekja e gjeopolitikave të ndryshme dhe rreshtimi krah taborëve armike, ashtu si ndodhi, fjala vjen, midis forcave shqiptare të radhitura krah gjeopolitikës fashiste dhe atyre krah gjeopolitikës antifashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Vetëdija kombëtare e shqiptarëve gjatë luftës çlirimtare në vitet 1998-1999 dallonte në nuanca po jo në përcaktimet gjeopolitike, ndaj armikut apo qëllimit të çlirimit kombëtar.
Pikërisht kjo nuk i acaroi ndasitë organizative dhe raportet e ndërsjella, po përkundrazi – i amortizoi ato.
I amortizoi deri në atë masë, sa nga distanca e tashme dhe realiteti i atëhershëm shquhet qartë se ndasitë u kthyen më tepër në një konkurrencë apo garë në kuptimin se kush do t’ia dilte më mirë në raport me mobilizimin, grumbullimin e ndihmave dhe rekrutimin për frontet e luftës në atdhe.

Qëllimi i njëjtë çlirimtar solli bashkëveprim e bashkërendim në terren

Gjendja në terren ishte treguesi i vërtetë dhe realiteti i unitetit kombëtar të shqiptarëve në lajtmotivin e çlirimit të atdheut e të popullit nga pushtimi, sundimi, terrori, gjenocidi e dëbimi biblik prej regjimit serb.
Dhe ai realitet ishte se nuk kishte në asnjë rast të vetëm konfrontim me armë midis radhëve të rezistencës së armatosur në vitet 1998-1999.
Madje, të dhënat, faktet historike dhe realiteti i asokohshëm në terren tregojnë diçka edhe më fatlume, gjë që e shpërfaq hapur përcaktimin e vetëm për luftë armikut pushtues me objektiv thyerjen e njëherë e përgjithmonshme të vargonjve të robërisë serbe.
Në terren, në front lufte, në të gjitha rastet kur ishin prezentë të dyja organizimet kishte një bashkëpunim.
Në diasporë, nganjëherë i heshtur e nganjëherë i hapur, kishte tolerancë në mbledhjen e fondeve e në disa raste bashkëpunim, madje edhe bartje të fondeve direkt për frontet e luftës; këto ishin si trende, megjithëse kishte dhe ndonjë devijim, po që nuk shkoi deri në ekstrem.
Në Shqipëri, dihet, secili grupim ushtarak kishte bazat e veta të mobilizimit dhe të stërvitjes.
Aty ku kam vepruar unë, askund nuk kam dëgjuar se ka patur bllokadë, kundërshtim, kacafytje e konfrontime si rivalë (nuk përjashtohet të ketë pasur ndonjë incident si përjashtim midis individësh, por që janë amortizuar dhe nuk kanë eskaluar në më të keqen).
Në fakt, kishte bashkëpunim, bashkëorganizim dhe front të përbashkët lufte kundër armikut, natyrisht aty ku ishin forcat e të dyja organizimeve.

Bashkërendimi në front të përbashkët

Organizimi i ndarë i radhëve të rezistencës ishte rrjedhojë e kushteve historike, por edhe e ndryshimit të kursit për të arritur objektivin e çlirimit.
Në njërën anë, institucionet e Kosovës që udhëhiqeshin nga LDK-ja, pas një ndërmarrje përgatitjesh për rezistencë të armatosje (1991), ndryshuan kursin dhe u përcaktuan për sendërtimin e Republikës përmes paqes, diplomacisë dhe sensibilizimit të qendrave të vendosjes para së gjithash atyre Euro-Atlantike.
Në anën tjetër, lëvizja atdhetare ilegale dhe radhët e UÇK besonin se vetëm rezistenca e armatosur do të jepte efekte diplomatike dhe do t’i sensibilizonte e vente në veprim qendrat e vendosjes sidomos vendet e perëndimit domethënë vendet Euro-Atlantike për arritjen e çlirimit të vendit.
Kjo problematikë, natyrisht, është më e komplikuar se kaq, dhe meriton një analizë e studim të veçantë për t’i ndriçuar faktorët, rrethanat dhe ndikimet në këto përcaktime, por për temën këtu nuk është aq relevante, pasi që fokusi është këtu për t’i nxjerrë pah përafrimet në realitet, në rrafshin praktik, në terren si dhe në rrafshin politik.
Ajo që, megjithatë, duhet nënvizuar është fakti se secila prej organizimeve të ndara kishte besimet e veta dhe punonte për t’i sendërtuar ato.
Gjithsesi, kishte edhe ingredientë lakmie për autoritet, për të mbajtur poste drejtuese, për përfitime personale e në ndonjë rast ka kaluar edhe në urrejtje të patejkalueshme, sa që edhe sot e kësaj dite shpërfaqen me ekstremitete dhe të pavërteta ku pari përpjekje për pengim, bojkot, dorëzim, dobësim e të këtilla, por që, nga perspektiva historike, ato ishin periferike dhe nuk u konsoliduan dot në karakteristike dhe, realisht, nuk shkaktuan ndonjë dëm të pariparueshëm.
Këto mund të jenë edhe perceptime të hiperbolizuara të synimit për të dëshmuar se rruga e zgjedhur e secilit organizim ishte e duhura dhe e drejtë.
Duhet theksuar se, në parim, asnjëra rrugë e zgjedhur nuk ishte gabim përderisa nuk e kishin ndryshuar kursin ndaj armikut dhe objektivin e çlirimit.
Por zhvillimet që pasuan, sidomos pas qëndresës dhe rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij në fillim-mars 1998, bënë që UÇK të dinamizohet për shkak të kontakteve të drejtpërdrejta me shtresat e gjera të popullit e me mërgatën, gjë që solli fluks në rritje të vullnetarëve në
radhët e saj. Ndaj dhe UÇK realisht dominoi në terren në Kosovë gjë që edhe solli afirmimin e saj ndërkombëtar.
Po qe se i shohim zhvillimet nga kjo distancë kohore, shihet se në momentet vendimtare, përkundër të gjitha ndasive, divergjencave e mospajtimeve, bëheshin përafrime.
Kurdo që ka ndodhur ndonjë njësi e FARK-ut të futej në front lufte, gjithnjë e pa asnjë përjashtim, pas përpjekjeve për të dominuar në rolin komandues, ka përfunduar në koordinim dhe bashkërendim me UÇK.
Ajo që ishte fakt është se në asnjë front lufte nuk kishte emblemë tjetër përveçse të UÇK.
Kësisoj, ndasia dhe dallim vetvetiu e natyrshëm u amortizuan në terren, pasi që konfrontimi me armë nuk devijoi asnjëherë po mbeti konstante dhe konsistente ekskluzivisht kundër armikut.
Sepse, kur qëllimi dhe objektivi ishin të njëjta nuk mund të kishte luftë midis pjesëtarëve të UÇK-së dhe të FARK-ut apo anasjelltas, nuk mund të kishte luftë kundër njëri-tjetrit dhe as me njëri-tjetrin; nuk mund të kishte konfrontime të armatosura mes vete kur përballë kishim një armik i cili publikisht po bënte gjenocid dhe shpërngulje biblike të shqiptarëve nga atdheu ynë i lashtë.
Ajo që pritej dhe ajo që duhej bërë, edhe ndodhi: bashkëpunimi, bashkëveprimi dhe bashkërendimi në front lufte.
Realitetin në frontin e luftës në terren në atdhe e pasqyrojnë edhe ligjet për luftën çlirimtare, në të cilat nuk diskriminohet e nuk përjashtohet asnjë, askush, që ka qenë i organizuar, i përfshirë në rezistencën e armatosur pavarësisht se cilit organizim i ka përkitur, përkundrazi kategorizohen dhe trajtohen ligjërisht njëlloj e në mënyrë të barabartë.
Sepse, lufta që ishte bërë ishte pasqyra reale e luftës çlirimtare.
Kjo është historia e vërtetë, ashtu sikurse ishte realisht.
E cila pa ekuivoke shpreh faktin se qëllimi dhe objektivi ishin të njëjta, se secili organizim, në kapacitetin që kishte, kishte kontribuar në luftën kundër forcave agresore të Serbisë dhe për çlirimin e popullit e të atdheut, por që për shkak të përmasave dhe shtrirjes në Kosovë, UÇK u bë identitet i luftës sonë çlirimtare.

Përkundër ndasive, pati unitet faktik në momentet kyçe të historisë dhe të luftës çlirimtare

Nga vetë fakti se UÇK dhe FARK ishin formuar si dy organizime të mëvetësishme është logjike që në një fazë të caktuar të jenë perceptuar e mbase edhe të jenë përjetuar si kundërshtare.
Porse me kalimin e kohës dhe sidomos me intensifikimin e luftimeve në atdhe, ku u dinamizua rezistenca kombëtare kundër forcave agresore të Serbisë, do të ndodhnin ndryshime kualitative. Këto ndryshime nuk ishin formale, strukturore, qendrore, porse reale dhe funksionale.
Do t’i përmend vetëm tre akte sipas kronologjisë që njihen publikisht e që të tretë dëshmojnë për unitet kombëtar.
1) Në fund të qershorit 1998 në Nënzonën Operative të UÇK për Junik e Rekë të Keqe hyri një brigadë e FARK-ut me gjithsej 128 pjesëtarë – oficerë e vullnetarë, në krye me kolonelin Tahir Zemaj. Pretendimet dhe mospajtimet u tejkaluan dhe ndodhi një bashkëveprim dhe koordinim në frontet e luftës. Në Junik u ndal një pjesë e vogël e kësaj brigade në krye me Rrustem Berishën dhe Agim Ramadanin, kurse pjesa dërrmuese, në krye me Tahir Zemajn, vazhduan për në Gllogjan.
2) Në Konferencën Ndërkombëtare të Rambujesë (6-23 shkurt) dhe në atë të Parisit (15-18 mars) në vitin 1999, u krijua një homogjenitet kombëtar politiko-ushtarak i shqiptarëve që e përfaqësonin Kosovën. Delegacioni ishte unik, në krye të së cilës u dakorduan të vihej Hashim Thaçi, drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK. Kjo ishte rrjedhojë e faktit se në arenën ndërkombëtare UÇK ishte bërë identitet dhe sinonim i luftës çlirimtare të popullit shqiptar në Kosovë. Diplomatët amerikanë po edhe shtetet evropiane e dinin se UÇK ishte gjendje faktike kudo në terren në Kosovë, dhe se ishte pushka e saj çlirimtare që po bënte efektet diplomatike sidomos me përcaktimin gjeopolitik për Perëndimin. Sigurisht, nuk ishte aspak e lehtë të bëhej një rokadë aq e madhe e përfaqësimit, ku institucionet e drejtuesit e saj të mbetnin në plan të dytë e UÇK të dilte në plan të parë dhe ne krye. Pa insistimin e ndërkombëtarëve sigurisht që nuk do të behej. Por pavarësisht se si, fakt është se delegacioni i Kosovës e krijoi një strukturë monolite, gjë që i përfaqësuan shqiptarët si komb, si Kosovë.
3) Operacionit “Shigjeta”. Për këtë operacion, si përgjigje ndaj nevojave të zgjerimit të luftës sonë çlirimtare, u mor vendimi nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK në Kosovë. Drejtues i operacionit u caktua kolonel Bislim Zyrapi. Operacioni ishte menduar si veprim i UÇK-së, por në terren ndodhi diçka më e madhështore. U bë një organizim i përbashkët UÇK dhe FARK, me një komandë unike dhe emblemë të UCK. Tri frontet e luftës në drejtim të Koshare (9 prill), të Pashtrikut (26 maj) dhe të Koritnikut (26 maj) u zhvilluan me taktikë e strategji ushtarake të përbashkët dhe unitare, duke treguar edhe një herë se nuk kishte armik tjetër përveç se agresorit serb dhe nuk kishte objektiv tjetër përveç se çlirimit të Kosovës.
Kjo është ana e ndritshme e madhështisë së luftës çlirimtare të shqiptarëve të fundshekullit XX, e cila nuk lejoi të degradonte e të degjeneronte rezistenca në luftë vëllavrasëse.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Antonio Rudiger ka dalë në mbrojtje të yjeve të Real…