Hoti dhe Vergori diskutojnë për aktivitetet e përbashkëta mes policisë dhe KFOR-it
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka pritur në takim komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Roberto Vergori.
Në takimin e sotëm, ndër të tjera, janë diskutuar tema të ndryshme që kanë të bëjnë me situatën e sigurisë në Republikën e Kosovës.
Sipas Policisë, në takim është konfirmuar edhe një herë vazhdimi i bashkëpunimit dhe avancimi i shkëmbimit të informacioneve, në funksion të ruajtjes së një ambienti më të qetë dhe më të sigurt për të gjithë qytetarët, pa dallim.
“Një pikë tjetër e diskutimeve ishin aktivitetet e përbashkëta mes PK-së dhe KFOR-it, të cilat reflektojnë në situatën e sigurisë në tërë vendin.
Të dyja palët u dakorduan se vazhdimi i bashkëpunimit, mirëbesimit dhe realizimit të aktiviteteve të përbashkëta ndikon në rritjen e mëtejshme të nivelit të sigurisë së përgjithshme në Republikën e Kosovës”, është thënë në njoftim.



