Haxhiu: Duam të kemi konsultime më të rregullta politike me NATO-n
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kosova dëshiron të ketë konsultime të rregullta politike me NATO-n, krahas bashkëpunimit praktik.
Ajo ka theksuar se populli i Kosovës është mirënjohës dhe përkrahës i madh i kësaj aleance, duke nënvizuar se anëtarësimi në NATO mbetet prioritet i Kosovës.
Haxhiu është shprehur kështu gjatë takimit që ka zhvilluar me zëvendësndihmësen e Sekretarit të Përgjithshëm për Operacione, Burcu San.
“Biseduam për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe NATO-s, veçanërisht në fushën e mbrojtjes. Krahas punës praktike, duam të kemi edhe konsultime më të rregullta politike. Kosova është e gatshme të japë kontribut edhe më të madh për sigurinë në rajon dhe në Evropë, siç dëshmon edhe mbështetja e saj për Ukrainën”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.
Ajo ka njoftuar zyrtaren e NATO-s se Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur delegatët për Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
“Si Kuvend, kemi përgjegjësinë për mbikëqyrjen demokratike të sektorit të sigurisë, ku kemi përfituar nga ekspertiza dhe mbështetja e NATO-s. E njoftova gjithashtu se Kuvendi i Kosovës i ka zgjedhur delegatët e tij për Asamblenë Parlamentare të NATO-s, përmes së cilës do ta thellojmë bashkëpunimin me parlamentet e vendeve aleate. Kosova do të vazhdojë të jetë partnere e përkushtuar dhe e besueshme e NATO-s”, ka thënë Haxhiu.
Kryetarja e Kuvendit po qëndron për një vizitë zyrtare në Bruksel.



