Shtator 1998 – Marali | Një amanet nga ‘Gjarpri’
Shkruan: Dardan Krasniqi
SHTATOR 1998 – MARALI | NJË AMANET NGA GJARPRI
Në shtator të vitit 1998, u stepa kur e pashë, se nuk e kisha takuar që nga korriku! Kishte ardhë nga Dukagjini, me disa ushtarë e ushtarakë të tjerë!
Vrapova disa hapa shpejt: “Shef, a je mirë? Ku je, Krasniqe e lule e kuqe, që nuk po lëshon pe? Të lumtë që po qëndroni dhe nuk po dorëzoheni!”.
“Ai shef, vetëm të vdekur mund të na mposhtin”, i thashë si me marre.
Me buzë në gaz, m’u përgjigj shpejt: “E jo valla, as të vdekur nuk kanë për të na mposhtur kurrë!”.
E pati shpejt një kërkesë për plakun: pak bukë e ujë dhe një takim me ushtarët. Plaku e mori detyrën dhe e organizoi shpejt një takim në një odë (Odën e Muharrem Vrenezit)!
U mbajt takimi dhe, kur u kry takimi, më thirri Gjarpri dhe m’u drejtua: “Dard, qysh po e mban uniformën edhe me shumë presion, po ta la një amanet: deri sa të kthehem nga një rrugë tjetër, mbaje këtë çantë!”
U çudita për besimin dhe, pa hezitu, i thashë: “A me e rujtë a çka me ba?”, sepse nuk më tha gjë tjetër.
“Pse, duhet me ta thënë ty?”, m’u drejtua. Me dhanë të drejtën, ishte disi i brengosur!
Çanta prej lëkure, me ngjyrë kafe të mbylltë, me krahror e stil ushtarak, qëndroi me mua disa muaj dhe ia dorëzova ashtu siç ma kishte lënë!
Kanë kaluar vite, por fjalët nuk janë harruar, amaneti nuk është harruar dhe kujtimi mbetet i gjallë. Sepse historia nuk është vetëm ajo që shkruhet, por edhe ajo që e bartim në kujtesë!
PS: “Gjarpri” ka qenë pseudonimi që Hashim Thaçi ka përdorur gjatë luftës çlirimtare



