Lladrovci pret Bardhyl Mahmutin dhe Fadil Muqollin, pranon 130 kopje të librit “Revolta e Syzifit”

19 nëntor 2026 | 15:44

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur sot në takim Bardhyl Mahmutin dhe Fadil Muqollin, me të cilët ka diskutuar për historinë e popullit shqiptar, me theks të veçantë në dokumentimin e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Lladrovci ka bërë të ditur se në takim është diskutuar edhe për Masakrën e Poklekut dhe punën që po bëhet për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Ai ka bërë të ditur se ka pranuar si dhuratë librin “Revolta e Syzifit”, ndërsa Drejtoria e Kulturës e Komunës së Drenasit ka pranuar 130 kopje të kësaj vepre, të cilat do të shpërndahen në bibliotekat dhe shkollat e komunës.

Lladrovci ka falënderuar Mahmutin dhe Muqollin për dhuratën, duke vlerësuar kontributin e tyre në trajtimin e historisë dhe të tragjedisë së Poklekut.

Në fund, ai ka shprehur nderimin për dëshmorët dhe martirët e kombit, si dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Postimi i plotë i Lladrovcit:

Drenasi, si vatër e UÇK-së dhe rezistencës shekullore kundër okupatorit, është dëshmi e gjallë e gjenocidit serb. Këtë e dëshmon atdhetari shembullor, miku im, Bardhyl Mahmuti, i cili u mor me Masakrën e Poklekut.

Sot, prita në takim Bardhylin dhe Fadil Muqollin, si kryepersonazh i veprës “Revolta e Syzifit” me ç’rast diskutuam për historinë e dhimbshme por krenare të popullit tonë, me vështrim të posaçëm në punën e paktë që po bëhet për të dokumentuar gjenocidin serb ndaj shqiptarëve.

Me kënaqësi e pranova dhuratë librin “Revolta e Syzifit”, njëherësh, Drejtoria e Kulturës pranoi 130 kopje të librit që do të shpërndahen në të gjitha bibliotekat dhe shkollat e komunës tonë. Libri ka zgjuar interesim të madh ndër lexuesit anekënd trojeve shqiptare, andaj, e falënderoj Bardhylin dhe Fadilin për këtë dhuratë.

Nderim për Bardhylin i cili me shpirt preku plagën e gjallë të Poklekut dhe për Fadilin, qëndresën e tij përball tragjedisë së jashtëzakonshme në rrugën e gjatë të çlirimit.

Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka pritur të…