Musliu e pyet a janë ende ‘familjarët për dasma’, Kurti: Kjo s’nënkupton që familjarët e secilit t’i persekutojmë a largojmë nga Kosova

19 nëntor 2026 | 15:19

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, e ka pyetur kryeministrin Albin Kurti nëse mendon ende sikur dikur se “farefisi dhe familjarët janë për dasma, e jo për institucione”.

Musliu po i është referuar punësimit të familjarëve të zyrtarëve të lartë qeveritarë nëpër institucione.

“Zoti Kurti, në vitin 2019, gjatë fushatës zgjedhore, patët deklaruar publikisht se farefisi dhe familjarët janë për dasma, e jo për institucione. Pyetja ime konkrete është: a mendoni edhe sot ashtu, a e keni atë qëndrim apo qëndrimi juaj ka ndryshuar?”, ka pyetur ajo.

Kurti, pasi ka marrë fjalën, fillimisht ka saktësuar se atë deklaratë e kishte bërë “jo në vitin 2019, por në vitin 2021”.

“Ju e keni shkurtuar deklaratën në pak fjalë, por unë i qëndroj prapa asaj. Luftim i korrupsionit dhe nepotizmin pa asnjë koncesion apo kompromis”, ka thënë ai.

“Nëse e mbani mend dekadën e kaluar, në top tri brengat kryesore të qytetarëve të Republikës kanë qenë rregullisht, nga viti në vit, madje nga muaji në muaj, korrupsioni dhe papunësia. Sot korrupsioni dhe papunësia nuk janë në top 3, as në top 5 më”, ka thënë Kurti.

“Dhe çka ua merr mendja? Pse korrupsioni më nuk është në top 5 brengat kryesore të qytetarëve të Republikës? Sepse ruhet paraja publike dhe nuk ka më për tendera as ryshfet në fillim, as haraç në fund”, ka shtuar kryeministri.

Kurti ka thënë se kishte deklaruar që në institucione duhet të vijnë “njerëz të ndershëm e të dijshëm, patriotë e profesionistë”, por jo “dikush që s’ka familje, as farefis”.

“Ajo çfarë kam thënë unë është që në përfaqësimin politik e institucional duhet të vijnë njerëz të ndershëm e të dijshëm, patriotë e profesionistë, e këto të jenë kriteret themelore, e kurrsesi familja apo prejardhja farefisnore. Unë nuk kam thënë që duhet të vijë dikush që s’ka familje, as farefis, por unë kam thënë që mos me qenë familja dhe farefisi lidhja, kushti dhe mundësia nëpërmjet së cilës dikush punësohet. Tash, kjo nuk nënkupton që do të duhej familjarët e farefisin e secilit ta persekutojmë apo largojmë nga Kosova dhe gjithashtu, kur kam thënë që ‘familja është për dasma e aheng’, kam thënë që ‘veç në dasma e ahengje dikush të thërret sepse të ka familjar apo mik’. Pra, kriteri kryesor është afërsia familjare. Ndërkaq në punë e punësim, ky nuk do të duhej dhe nuk është më kriter qysh ka qenë”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se familjarët e tij nuk janë avancuar që kur ai është bërë kryeministër i vendit.

“Ma gjeni një Kurti që u avancu ndokund. Absolutisht nuk mund ta gjeni asnjë që për shkak të lidhjeve me mua përparoi diku”, ka thënë ai.

Pasi deputetja Musliu ia ka numëruar punësimet, Kurti ka insistuar se “dukuria e nepotizmit dhe korrupsionit nuk ekziston më në Kosovë”. Ai ka thënë se “këtë e thonë edhe raportet vendore, edhe ndërkombëtare”.

“Për emrat që i lexuat ju, do të duhej të na tregonit cili prej emrave nuk ka qenë në krye të listës kur është angazhuar dhe që lidhja familjare paska bërë që t’i kapërcejë ata që kanë qenë më të zotë dhe personi në fjalë qenka punësuar. Kjo është pyetja. Nuk është pyetja me na i lexu kënd i kemi anëtarë të familjes… Nuk është keq edhe me i mësu, a kuptoni? Por nuk kam unë kurreshtje për këtë punë”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar në…