Pacolli dhe Gashi përplasen për deponinë në Pejë

19 nëntor 2026 | 14:48

Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, kanë diskutuar në seancën e Kuvendit të Kosovës për gjendjen e krijuar nga zjarri në deponinë e mbeturinave në Pejë, ku kanë pasur mospajtime lidhur me përgjegjësinë institucionale për menaxhimin e situatës.

Pacolli ka thënë se shqetësimi për gjendjen në deponi është i drejtë, por ka theksuar se përgjegjësia kryesore për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e saj i takon Komunës së Pejës.

“Shqetësimi është plotësisht i drejtë. Është e domosdoshme të sqarohen kompetencat ligjore dhe përgjegjësia institucionale. Deponia është nën menaxhimin e drejtpërdrejtë të Komunës së Pejës dhe, për aq kohë sa kjo deponi mbetet nën administrimin komunal, përgjegjësia primare për mirëmbajtjen dhe keqmenaxhimin bie mbi Komunën e Pejës. As ministria, as kompania nuk kanë kompetenca. Jemi në kontakt me kompaninë”, ka thënë ajo.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili ka thënë se në këtë situatë nuk ka rëndësi se cili institucion është përgjegjës për deponinë, por mbrojtja e jetës dhe shëndetit të qytetarëve.

Ai ka kërkuar ndërhyrje urgjente dhe ndarjen e një fondi emergjent për shuarjen e zjarrit, duke theksuar se përgjegjësia për gjendjen e krijuar mund të trajtohet më vonë nga organet e drejtësisë.

“Mesa di unë, deponia është ndërmarrje publike rajonale, ku mblidhen edhe mbeturinat e Pejës, Istogut, Deçanit, Klinës, po nuk ka rëndësi, jeta e qytetarëve është në rrezik. Nuk po më intereson hiç a është e komunës, a është e qeverisë apo e kujt, me rëndësi është jeta e njerëzve. Fond emergjent, çka doni bëni, aty duhet të ndalet zjarri, kush e ka fajin shkoni nëpër gjykata, le të shkojë në burg kushdo që ka faj, nuk jam duke e trajtuar politikisht, nuk jam duke e sulmuar, po kërkoj mbrojtjen e njerëzve”, ka thënë Gashi.

Në përgjigje të tij, ministrja Pacolli ka thënë se gjendja aktuale është pasojë e keqmenaxhimit shumëvjeçar dhe se problemet e grumbulluara ndër vite nuk mund të zgjidhen brenda një periudhe të shkurtër.

Ajo e ka kritikuar Gashin se nuk e kishte ngritur më herët këtë shqetësim, ndërsa përgjegjësinë për situatën ia ka atribuar udhëheqjes komunale të Pejës.

“Sikur ta kishe nisur këtë diskutim vite më përpara, kur ka pasur alarm se po keqmenaxhohet deponia, atëherë nuk e ke ngritur zërin. Keqmenaxhimi disavjeçar të ka sjellë këtu sot, ne nuk mundemi me riparua brenda një periudhe të shkurtër. Po duhesh ta adresosh kujt i takon, komuna duhet të marrë përgjegjësi për këtë gjendje. Është kryetari i partisë suaj që ka udhëhequr me Komunën e Pejës tash e sa vite”, ka thënë Pacolli.

Ndryshe, deponia e mbeturinave në Sferkë të Pejës është përballur prej muajsh me zjarre dhe ndotje, duke shkaktuar shqetësime te banorët.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pritur në takim ambasadorin…