Gjashtë vite në pushtet, Kurti e pranon se qytetarët po largohen nga vendi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në Kuvendin e Kosovës për migrimin, duke thënë se, sipas bindjes së tij, dy prej shkaqeve kryesore që po i shtyjnë qytetarët të largohen nga vendi janë cilësia e arsimit dhe problemet në sistemin e drejtësisë. Gjatë diskutimit, Kurti ka thënë se qytetarët në Kosovë jetojnë më mirë si qytetarë të Republikës sesa si banorë të komunave, duke kritikuar gjendjen në pushtetin lokal, veçanërisht në zonat rurale dhe cilësinë e arsimit, raporton Ekonomia Online.
Ai ka përmendur edhe investimet në Brezovicë, për të cilat ka thënë se deri para dy-tri vjetësh kanë qenë të pamundura për shkak të kontrollit që, sipas tij, e kishte Beogradi përmes aneksit.
“Është e vërtetë që kemi humbur shumë kohë që s’kemi investuar në Brezovicë. Por duhet ta keni parasysh, deri para dy-tri vjetëve realisht ka qenë e pamundur, sepse aneksi i Beogradit e ka kontrolluar Brezovicën. Ju e dini që pak problem kur ke në Kosovë përfundon në gjykatë, e kur përfundon në gjykatë nja pesë vjet i ke të garantuar me bllokim. Prandaj është dashur një herë me e marrë kontrollin, me e bërë fiskalizimin dhe me e caktuar një bord funksional të ri. Prandaj vetëm tash janë kushtet e vërteta për investuar në Brezovicë. Për besë po të investoje në Brezovicë para 10 vjetëve, është dashur me u bërë marrëveshje edhe me Beogradin për investime. Tash nuk e kemi këtë problem. Natyrisht që do të kemi probleme të tjera, po parakushti është i rregulluar”, ka deklaruar Kurti.
Kreu i Qeverisë ka folur edhe për investimet e huaja direkte, duke thënë se ato janë dyfishuar, por se sfida kryesore mbetet struktura e tyre, pasi, sipas tij, pjesa më e madhe vazhdon të përqendrohet në patundshmëri.
“Investimet e huaja direkte në Kosovë janë dyfishuar. Unë, të dashur qytetarë e të nderuar deputetë, nuk e shoh fare problemin te vëllimi i investimeve. Ne kemi më shumë problem strukturën e investimeve. Edhe më tutje është në patundshmëri, edhe më tutje është në banesa, edhe më tutje është në tokë. Po në tokë që jo do e mos punohet, e në banesa që jo do e mos jetohet. Po ky është një problem shoqëror përveçse ekonomik e financiar, që ndoshta e diskutojmë një herë tjetër se është më i thellë”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se gjatë gjashtë vjetëve të qeverisjes së tij ka krijuar bindjen se janë dy faktorë kryesorë që ndikojnë në migrimin e qytetarëve, duke veçuar gjendjen në komuna dhe cilësinë e arsimit.
“Por bindjen time gjatë këtyre gjashtë vjet qeverisje, janë dy shkaqe kryesore të migrimit të njerëzve në kohët e fundit. Nuk po flas për ato migrimet kur ka qenë okupimi i egër i Serbisë, apartheidi, persekutimi politik, mandej varfëria ekonomike e kështu me radhë. Edhe më tutje do ta kemi rrezik migrimin nga këta të njëjtit dy faktorë, për të cilët do të flas shkurtimisht tani”, ka deklaruar kryeministri.
Si faktor të parë, ai ka përmendur gjendjen në komunat e Kosovës, duke thënë se kushtet e jetesës në shumë prej tyre, sidomos në zonat rurale, po ndikojnë që qytetarët të shpërngulen drejt qendrave më të mëdha ose jashtë vendit.
“E para është gjendja në komunat tona. Unë jam i bindur se në Kosovë jetohet shumë më mirë si qytetar i Republikës sesa si banor i komunës. Shumica e komunave të Kosovës i kanë kushtet e jetesës të tilla, sidomos në zonat rurale dhe sidomos për shkak të cilësisë së arsimit, që ata ose migrojnë brenda në Fushë Kosovë e në Prishtinë, ose në Gjermani e në Zvicër. Besoni, një ndër shkaqet kryesore të migrimit, qoftë të brendshëm, qoftë jashtë, është arsimi”, ka thënë Kurti.
Ai ka vlerësuar se përmirësimi i arsimit është një prej sfidave më të mëdha për institucionet, pasi rezultatet e investimeve në këtë sektor nuk mund të shihen menjëherë, por kërkojnë kohë dhe stabilitet.
“Edhe unë jam shumë optimist që do të mund t’i rregullojmë edhe industrinë, edhe mbrojtjen, edhe sigurinë, edhe investimet, kulturë, sport. Sfidë e madhe do të mbetet arsimi, sepse në arsim duhet me mbjellë sivjet edhe dy vite të mëvonshme për me mundur me korrur mbas nja 10-15 vjetëve. Është shumë e ngadalshme ajo. Do stabilitet të madh dhe ka sfida që i ka dhe bota, nuk janë vetëm sfidat tona. Çfarë shkolle në shekullin XXI është pyetje legjitime edhe në ekonomitë më të zhvilluara, lere më te ne”, ka deklaruar ai.
Kurti ka kritikuar edhe mënyrën se si është organizuar arsimi në nivelin lokal, duke thënë se do të preferonte që ky sektor të ishte më i centralizuar.
Ai ka përmendur edhe decentralizimin e arsimit në kuadër të propozimit të Ahtisaarit, për shkak të komunave me shumicë serbe, ndërsa ka kërkuar që drejtorëve komunalë të arsimit t’u kushtohet më shumë rëndësi.
“Edhe faktori i dytë për bindjen time përveç arsimit, përkatësisht cilësisë, përkatësisht mungesës së cilësisë, e ne e dimë që arsimi u takon komunave. Unë kisha qenë më shumë që arsimi të jetë më i centralizuar, po jua them shumë hapur. Po prej propozimit të Ahtisaarit, për shkak të 10 komunave me shumicë serbe, arsimi është decentralizuar. Dhe vetëm shikoni sa është cilësia e kuadrove tona që janë drejtorë komunalë të arsimit nëpër 38 komunat e Kosovës. Pa e bërë drejtorin komunal të arsimit njeri shumë më të rëndësishëm që cilido prej neve dhe me dashur me shkuar me punuar aty, se është sfidë e madhe, nuk rregullohet arsimi”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se problemet në arsim janë më të theksuara në zonat rurale, ndërsa ka vlerësuar se cilësia ndryshon edhe ndërmjet qendrave të ndryshme të Kosovës.
“Sidomos në zonat rurale. Në këto kryeqendrat kryesore është mirë, po mandej është e stratifikuar. Në kryeqytet është më mirë se në qendra të tjera”, ka thënë ai.
Gjatë fjalimit, Kurti ka kërkuar edhe disa minuta për ta përmbyllur diskutimin, duke thënë se, përveç arsimit, sfida e dytë e madhe e Kosovës është drejtësia.
“Edhe e dyta përveç arsimit, sfidë e madhe që ka shteti jonë është drejtësia. Kemi shumë qytetarë të vendit tonë që kur kanë shkuar në Pallat të Drejtësisë e kanë dalë prej atje, ose nëpër gjykatat themelore, nëpër prokurori, kur janë ankuar, kanë dalë më të pakënaqur sesa kanë hyrë”, ka deklaruar kryeministri.
Sipas tij, pakënaqësitë me sistemin e drejtësisë, padrejtësitë dhe zvarritja e proceseve gjyqësore mund të ndikojnë që qytetarët të vendosin të largohen nga Kosova bashkë me familjet e tyre.
“Edhe ju e dini qysh janë populli jonë, shpërngulet. Një problem me fqinjin, një problem me vendin e punës, një padrejtësi diku, një stërzgjatje në proces gjyqësor, shkon me krejt familjen. Neve na duhet me e rregulluar drejtësinë dhe arsimin. Me thënë të drejtën, unë jam optimist për krejt të tjerat. Optimist i përmbajtur jam për këto të dyja. Edhe kjo është sfida jonë e madhe në vitet në vijim”, shtoi Kurti.



