Aksion kundër trafikimit me njerëz, mbyllen 15 lokale të muzikës live dhe qendra masazhi, 8 të arrestuar

19 nëntor 2026 | 20:08

Policia e Kosovës ka kontrolluar 102 lokale në të gjithë vendin, përfshirë lokale të muzikës live dhe qendra masazhi, në kuadër të një plani operativ kundër trafikimit me qenie njerëzore. Gjatë aksionit, tetë persona janë arrestuar në katër raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion”, ndërsa 15 lokale janë mbyllur për shkelje administrative.

Sipas njoftimit të Policisë, plani operativ i koduar “Vjeshta 2026” është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në periudhën 3-17 nëntor, në bashkëpunim me inspektorë të institucioneve të ndryshme dhe njësi të tjera policore.

Gjatë këtij operacioni janë kontrolluar 40 lokale të muzikës live, ku janë hasur gjithsej 285 persona, prej tyre 223 femra dhe 62 meshkuj. Në mesin e tyre, 117 ishin shtetas të Kosovës, ndërsa 168 shtetas të huaj.

Sipas Policisë, 155 nga femrat e huaja ishin shtetase të Shqipërisë, nëntë të Serbisë, tri të Maqedonisë së Veriut dhe një e Kolumbisë. Nga kontrollet në këto lokale, tetë janë mbyllur nga inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit për shkelje administrative.

Ndërkohë, janë kontrolluar edhe 62 qendra masazhi, ku janë hasur 120 persona, përkatësisht 94 femra dhe 26 meshkuj. Prej tyre, 73 ishin shtetase të Kosovës dhe 47 shtetase të huaja, përfshirë 27 nga Tajlanda, 19 nga Shqipëria dhe një nga Serbia.

Edhe në këtë kategori, shtatë qendra masazhi janë mbyllur për shkelje administrative.

Gjatë realizimit të planit operativ janë evidentuar edhe katër raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion” – Eskorta, ku janë arrestuar gjithsej tetë persona: katër meshkuj, prej të cilëve tre shtetas të Kosovës dhe një i Shqipërisë, si dhe katër femra, një shtetase e Brazilit dhe tri të Kolumbisë.

Policia bëri të ditur se për këto raste janë dorëzuar fletëparaqitjet në gjykatë dhe të dyshuarit janë dënuar me gjobë. Ndërsa shtetaseve të huaja, me vendim të gjykatës, u janë shqiptuar edhe masat plotësuese të dëbimit nga territori i Kosovës dhe ndalimi i hyrjes në vend për periudha nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Në njoftim thuhet se gjatë kontrolleve, të gjitha punëtoreve të hasura në lokalet e muzikës live, qendrat e masazhit dhe eskortat u është ofruar mundësia të deklarohen nëse kanë qenë viktima të ndonjë forme të shfrytëzimit apo trafikimit me qenie njerëzore.

Megjithatë, sipas Policisë, nga këto deklarime nuk është identifikuar asnjë rast i trafikimit me qenie njerëzore.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kritikuar…