UEFA dënon Anglinë për fyerjen e Papës dhe irlandezëve
Federata Angleze e Futbollit (FA) është gjobitur me 15,000 euro dhe i është ndaluar me kusht shitja e biletave për një ndeshje jashtë fushe për shkak të brohoritjeve që tifozët e Anglisë kënduan gjatë fitores së tyre ndaj Spanjës në Madrid.
Sipas gazetës britanike The Guardian, ndalimi është i kushtëzuar për një periudhë dyvjeçare dhe UEFA e vendosi atë për shkak të sjelljes “raciste ose diskriminuese” nga tifozët në ndeshjen e Ligës së Kombeve që Anglia fitoi 3-2 në stadiumin Metropolitano të dielën.
Sipas gazetës Guardian, kënga kontroverse ishte ajo në të cilën tifozët fyen në mënyrë vulgare Papën dhe Ushtrinë e Republikës Irlandeze (IRA). Nëse Anglia ndëshkohet përsëri në dy vitet e ardhshme, tifozët e saj mund të ndalohen nga ndeshjet zyrtare jashtë fushe.



