AKB: Mbi 7 miliardë euro nga diaspora, vetëm 2% orientohen në biznes dhe prodhim
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) në bazë të një studim shpreh shqetësimin për mungesën e orientimit të kapitalit të diasporës drejt investimeve produktive, industrisë dhe prodhimit vendor.
Gjatë periudhës 2021 – qershor 2026, Kosova ka pranuar rreth 7.16 miliardë euro remitanca nga diaspora, një kontribut jashtëzakonisht i rëndësishëm për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve.
Të hyrat nga remitancat sipas viteve:
• 2021: 1.153,4 milionë euro
• 2022: 1.222,8 milionë euro
• 2023: 1.335,8 milionë euro
• 2024: 1.355,0 milionë euro
• 2025: 1.406,0 milionë euro
• 2026 (janar–qershor): 690,7 milionë euro
Gjithsej: 7.163,7 milionë euro (rreth 7.16 miliardë euro).
Sipas studimimit dhe vlerësimit të Aleancës Kosovare të Bizneseve, orientimi i kapitalit të diasporës paraqitet në tri kategori kryesore: Rreth 80% – Konsum i përditshëm, patundshmëri dhe ndërtim, rreth 2% – Biznes, industri dhe prodhim dhe rreth 18% – Destinime të tjera.
“Nëse kjo strukturë orientimi zbatohet në mënyrë ilustruese mbi 7.16 miliardë eurot e pranuara gjatë kësaj periudhe, vlerat do të ishin: Rreth 5.73 miliardë euro për konsum të përditshëm, patundshmëri dhe ndërtim ,rreth 143 milionë euro për biznes dhe prodhim dhe rreth 1.29 miliardë euro për destinime të tjera”, thekson studimi i AKB-së.
“Kosova ndërton banesa, por nuk po ndërton mjaftueshëm fabrika për prodhim të qëndrueshëm! Pavarësisht këtij potenciali financiar, kapitali i diasporës ende nuk po shfrytëzohet sa duhet për krijimin e ndërmarrjeve prodhuese, hapjen e fabrikave, zhvillimin e industrisë dhe rritjen e eksporteve. AKB konsideron se kjo gjendje duhet të jetë shqetësim serioz për institucionet e Kosovës. Nuk mund të presim që diaspora të investojë në prodhim pa krijuar kushte të favorshme, siguri juridike, lehtësira fiskale dhe politika konkrete për mbështetjen e investimeve”, thuhet në këtë studim.
Kryetari i AKB-së, kërkon nga Qeveria e Kosovës hartimin e një strategjie të veçantë për orientimin e kapitalit të diasporës drejt industrisë, prodhimit vendor, teknologjisë dhe eksportit. “Është koha që diaspora të mos shihet vetëm si burim i remitancave për konsum, por si partnere strategjike e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Kosovës nuk i duhen vetëm remitanca për konsum, por investime që ndërtojnë fabrika, krijojnë vende pune, rrisin eksportin dhe sigurojnë të ardhmen ekonomike”, tha Agim Shahini, kryetar i AKB-së.



