Musliu-Shoshi për buxhetin e vitit 2027: Qytetarët duan projekte, jo shifra e premtime
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë buxhetin për vitin 2027, në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh.
Buxheti, sipas Qeverisë, synon rritjen e mirëqenies së qytetarëve, forcimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin ekonomik të vendit, duke ruajtur stabilitetin fiskal.
Por deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, e ka kritikuar qeverisjen aktuale, duke krahasuar investimet e bëra gjatë qeverisjes së Hashim Thaçit me ato të qeverisë së Albin Kurtit.
Ajo ka thënë se, ndonëse sot buxheti është shumë më i madh, investimet konkrete mungojnë.
“Problem nuk është vetëm sa para ka buxheti. Atëherë ka pasur më pak, por ka pasur më shumë investime. Sot ke shumë më shumë, ke zero investime”, ka deklaruar Musliu-Shoshi.
Deputetja ka theksuar se qytetarët nuk jetojnë nga shifrat dhe premtimet, por nga rezultatet konkrete të qeverisjes.
“Duhet të dëshmohet jo vetëm me numra, por me projekte konkrete të realizuara. Qytetarët nuk jetojnë nga shifrat e premtimeve, por nga rezultatet konkrete të qeverisjes. Personalisht, do të doja të shihja një shtet të zhvilluar, ku t’i rris fëmijët dhe të plakem vetë, por kjo nuk po ndodh”, është shprehur ajo.
Në fjalimin e saj, Musliu-Shoshi ka prezantuar edhe disa prej projekteve dhe arritjeve që, sipas saj, janë realizuar gjatë qeverisjes së Hashim Thaçit, e cila ka zgjatur gjashtë vjet e 11 muaj.
Ajo ka përmendur ndërtimin e autostradave dhe rrugëve lokale e rajonale, ndërtimin dhe renovimin e dhjetëra shkollave, rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe investimet në shëndetësi dhe infrastrukturë arsimore.
Ndër arritjet e përmendura prej saj kanë qenë edhe shpallja e Pavarësisë së Kosovës, hyrja në fuqi e Kushtetutës, themelimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, sigurimi i 108 njohjeve ndërkombëtare, anëtarësimi në FMN dhe Bankën Botërore, si dhe opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për deklaratën e pavarësisë.
Musliu-Shoshi ka përmendur edhe pritjen në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, si një prej momenteve të rëndësishme të përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës.



