Paraburgoset Rrahman Hoti për rastin e rëndë që ndodhi të mërkurën në Suharekë
Departamenti i Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prizren e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë së Shtetit dhe ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj Rrahman Hotit, i dyshuar për vrasjen e Sylë Dakajt.
Sipas Gjykatës, masa është marrë për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri Rrahman Hoti ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë”, duke privuar nga jeta personin tjetër dhe, me atë rast, duke vënë me dashje në rrezik jetën e një ose më shumë personave të tjerë, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Gjykata, me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit, ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase dhe se, nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 18 nëntor 2026, rreth orës 12:03, në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë. I pandehuri Rr. H., pas një mosmarrëveshjeje të çastit lidhur me parkimin e automjeteve, me dashje ka privuar nga jeta viktimën S. D., si dhe me dashje ka vënë në rrezik edhe jetën e bashkëshortes së viktimës dhe vajzës së tyre të mitur, të cilat ishin të pranishme në momentin e ngjarjes”.
“I pandehuri, duke përdorur armën e zjarrit të llojit ‘Sig Sauer’, ka shtënë disa herë në drejtim të viktimës, fillimisht përmes xhamit të automjetit dhe më pas ka vazhduar të shtjerë në drejtim të tij, edhe pasi i kishte hapur dyert e automjetit, duke e qëlluar në pjesë të ndryshme të trupit. Si pasojë e plagëve të marra, viktima, pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore në QKMF në Suharekë, është dërguar për trajtim të mëtejmë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij”, ka bërë me dije gjykata.
Ndërkaq, pas kryerjes së veprës, Rrahman Hoti është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa më pas është lokalizuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës.
“Gjatë kontrollit të automjetit të të pandehurit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar armën e dyshuar si mjet të kryerjes së veprës penale, së bashku me dy karikatorë dhe 24 fishekë. Ndërsa, gjatë kontrollit të banesës së tij, janë gjetur dhe sekuestruar edhe 47 fishekë të tjerë”, ka bërë të ditur më tej Gjykata në njoftim.
Gjithashtu, sipas kërkesës sëprokurorisë, gjykata ka thënë se i pandehuri rezulton të ketë qenë i dënuar më parë nga autoritetet zvicerane për veprën penale të vrasjes.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, gjykata ka thënë se ka marrë parasysh faktin se procedura paraprake hetimore është në fazën fillestare dhe se i pandehuri, pas momentit kritik, është larguar nga vendi i ngjarjes, derisa është lokalizuar dhe arrestuar nga hetuesit policorë. Sipas Gjykatës, nëse lihet në masa të tjera, ekziston rreziku i arratisjes me qëllim të shmangies së përgjegjësisë penale.
Gjykata ka thënë se masa e paraburgimit në këtë fazë është e bazuar dhe e qëndrueshme, “duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale për të cilat dyshohet i pandehuri, mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer veprat penale, i cili për shkak të një mosmarrëveshjeje, në një vend publik të frekuentuar nga shumë njerëz, me gjakftohtësi shtien me armë disa herë në drejtim të viktimës, duke vënë në përdorim armën për të cilën ka poseduar leje për shenjtari, por e përdor në kundërshtim me Ligjin”.
Gjykata ka vlerësuar pretendimet e palëve në seancën dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë, por, duke marrë parasysh peshën e veprave penale për të cilat dyshohet i pandehuri, si dhe mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer këto vepra penale, ka vlerësuar se “në rastin konkret vetëm me masën e paraburgimit do të sigurohet prezenca e të pandehurit në këtë fazë të procedurës dhe do të sigurohet mbarëvajtja e papenguar e procedurës paraprake”.



