Vëllai i Jakup Krasniqit shpalos kujtimet me ish-kryekuvendarin, u dërgon mesazh krerëve të UÇK-së

20 nëntor 2026 | 16:17

Daut Krasniqi, vëllai i Jakup Krasniqit, i cili tash e tri ditë po pret rrugëve afër shtëpisë në Velani të Prishtinës për ta parë të vëllanë, që po qëndron për vizitë në Kosovë, ka rrëfyer për raportin e afërt që kishte me të, kujtimet nga periudha e burgosjeve të tij, procesin gjyqësor në Hagë, pamundësinë për ta takuar gjatë vizitës së fundit në Kosovë dhe mallin e madh që 87-vjeçari ka për vëllanë e tij, Jakupin.

Krasniqi ka thënë se ish-kryekuvendari dhe ish-zëri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte gjithmonë stoik kur bëhej fjalë për atdheun dhe se kurrë nuk e kishte menduar largimin nga Kosova.

Në një intervistë për “KosovaPress”, Daut Krasniqi ka thënë se gjatë gjithë jetës ka qenë i pandarë me të vëllanë, ndërsa ka treguar edhe për bisedat që kishin pasur në kohën kur Jakup Krasniqi ishte përballur me burgosjen nga autoritetet serbe.

Por më rëndë se atëherë në burgjet serbe, Daut Krasniqi e ka përjetuar qëndrimin e vëllait në paraburgim në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Dhimbjen ia ka shtuar edhe ardhja e Krasniqit në Kosovë, të cilin e ka parë vetëm nga larg.

Ai ka treguar se kishte shkuar për ta takuar Jakup Krasniqin, por ishte njoftuar se vizita mund të rrezikohej dhe kishte vendosur të largohej, në mënyrë që të mos ndikonte në vazhdimin e saj.

“Për këto forca dhe të mos mundesh me u takuar me vëllezër, as me askënd, këtë nuk e kemi pritur… Unë shkova, i thanë vajzës që po vjen baca atje. Unë shkova dhe tha: ‘Po thonë që veç po prishet vizita’. I thashë: ‘Jo, unë për ta prish vizitën nuk vij’, edhe u ktheva. A ka në botë dikund që të vijnë të huajt, të hyjnë në shtëpinë tënde, e policia jote të rrijë jashtë e të mos hyjë me ta? Një orë ka pritur kur kanë ardhur pardje me kerr, edhe janë hyrë e kanë kontrolluar shtëpinë pa tanët (Policinë e Kosovës)”, ka thënë ai.

Daut Krasniqi, duke komentuar procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, ka thënë me bindje se Specialja po i dënon çlirimtarët, duke theksuar se UÇK-ja nuk ishte ushtri e rregullt, por vullnetare.

“Drejtësia e Evropës, po çfarë drejtësie ka Evropa? Për mua jo, sepse me u paguar gjykata për t’i dënuar çlirimtarët tanë, kjo nuk është drejtësi e Evropës. E kujt është, le ta dinë, e Rusisë dhe e Serbisë. Këta nuk kanë qenë ushtri e rregullt, këta kanë qenë vullnetarë. Kush ka mundur të hyjë, ka hyrë”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se kur Jakup Krasniqi ishte paraqitur për herë të parë me uniformën e UÇK-së, ai ndodhej në Zvicër dhe ishte emocionuar kur e kishte parë duke iu bashkuar luftës për çlirimin e vendit.

“Unë kam qenë në Zvicër kur ka dalë për herë të parë. E kam parë, ymri më është rritur kur e kam parë me uniformë. A ka gjë më të mirë sesa me dalë me mbrojtur vendin tënd? Unë nuk e di çka ka më mirë në jetë, por ja se si erdhi puna… Më patriotë tash kemi në Qeveri sesa ata që e kanë hequr shkau prej këtu. Tash, cilët janë më patriotë, ai që e ka hequr apo ti që po e mbron? Mua më dhimbën disa, ku kanë qenë, ku kanë ardhur e ku kanë shkuar. Le ta dinë mirë ata se i kanë tradhtuar shokët, e sot nuk u ndihet zëri hiç, ata e dinë vetë”, ka shtuar Krasniqi.

Në fund të intervistës, Daut Krasniqi ka përcjellë edhe një mesazh për katërshen e UÇK-së në Hagë, duke u bërë thirrje që të qëndrojnë të fortë përballë kësaj situate.

“Veç le ta bahen të fortë, e le ta dinë se çfarë populli kishit pas, e s’kishit pas për kon me luftu”.

Ai ka kujtuar se në njërën nga bisedat e tyre i kishte propozuar vëllait më të vogël se ai të largohej për në Zvicër, por ky i fundit i kishte thënë se nuk e kishte ndërmend ta lëshonte atdheun.

“Pa u nda kurrë, veç kur na ka ndarë që është shkuar në burg, ama për këtë s’e kemi pritur. Dy herë në jetën time i kam thënë: kur ka hyrë për herë të parë, i kam thënë: ‘A e di ku je hyrë?’. Më tha: ‘Hajt, mos ki gajle’. Edhe shkoi në burg. Kur doli prej burgut, nuk i linin vend askund, e rrihnin përditë. Edhe i thashë: ‘Çohu more, dil në Zvicër’. Më tha: ‘Po të kisha dashur të ikja, unë kisha ikur në vitin 1981, por sa të jem gjallë, Kosovën nuk e lëshoj’. E tash e lëshoj prapë”, ka thënë ai.

Duke folur për raportin me të vëllanë, Daut Krasniqi ka thënë se, ndonëse ishin tetë vëllezër, me Jakupin kishte pasur një afërsi të veçantë.

Ai ka kujtuar edhe një vizitë që i kishte bërë gjatë kohës sa Jakup Krasniqi ishte në burg, duke përshkruar takimin përmes një dritareje të vogël me hekura dhe tela.

“Me Jakupin kam qenë i pandarë, vallahi, po çka ke me ba. Jemi kanë tetë vëllezër, por me të dashnia ka qenë tjetër. Dhimbja e të gjithëve është e njëjtë, por dashnia tjetër… Disa ditë kur ka qenë në burg, kam shku. Një dritare e vogël, në hekura, krejt me tela. Thashë t’ia prek gishtin, ai e çoi dorën, grushtin. Polici nuk bëri zë, kurgjë”, ka theksuar ai.

Jakup Krasniqi po qëndron në Kosovë që nga 18 nëntori i vitit 2026, pasi Dhomat e Specializuara në Hagë i kanë lejuar një vizitë të përkohshme për arsye bindëse humanitare, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të bashkëshortes së tij, Sevdije Krasniqi. Sipas raportimeve, atij i është lejuar të qëndrojë katër ditë në Kosovë, ku gjatë ditës qëndron pranë familjes në shtëpinë e tij në lagjen Velania të Prishtinës, ndërsa gjatë natës kthehet në objektet e EULEX-it, nën përcjelljen e tyre.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ish-komandanti i UÇK-së, Isni Kilaj, i cili është liruar më…