Konjufca dhe Hetemi nënshkruajnë memorandum për prezantimin ndërkombëtar të krimeve të luftës

20 nëntor 2026 | 16:38

Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, dhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, kanë nënshkruar sot Memorandumin e Mirëkuptimit për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe prezantimin ndërkombëtar të dokumentimit të krimeve të kryera nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë.

Përmes këtij memorandumi, Ministria dhe Instituti do të bashkërendojnë angazhimet për ndërkombëtarizimin e hulumtimeve, dëshmive dhe publikimeve mbi krimet e luftës. Rrjeti diplomatik dhe konsullor i Republikës së Kosovës do të mbështesë prezantimin e këtyre materialeve në arenën ndërkombëtare, organizimin e aktiviteteve përkujtimore dhe zgjerimin e bashkëpunimit me institucione relevante ndërkombëtare.

Ky bashkëpunim përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e diplomacisë publike të institucioneve tona në përballjen me përpjekjet për mohimin dhe relativizimin e krimeve të kryera nga Serbia ndaj popullit të Kosovës gjatë luftës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës mbetet e përkushtuar që e vërteta historike për luftën çlirimtare të popullit tonë dhe për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë të njihet sa më gjerësisht në arenën ndërkombëtare, duke fuqizuar zërin e Republikës së Kosovës në mbrojtje të drejtësisë dhe dinjitetit të viktimave ndaj të cilave janë kryer këto krime.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) i ka reaguar kryeministrit…