Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka marrë një varg komentesh kritike nga qytetarët, pas publikimit të një njoftimi për ndërtimin e pesë digave strategjike në Kosovë.
“Krejt punët në gjysmë po i leni”: Qytetarët ia mbushin komentin me kritika Fitore Pacollit për digat
Me mbishkrimin “Ky është mandati i digave”, Pacolli ka prezantuar fazat në të cilat ndodhen projektet për Kuqicën, Pollatën, Desivojcën, Firajën dhe Dragaqinen. Sipas planifikimeve të publikuara nga ajo, ndërtimi i disa prej tyre pritet të nisë në vitin 2028, ndërsa për Dragaqinen në vitin 2029.
Megjithatë, qytetarët në komentet e tyre kanë shprehur pakënaqësi për afatet e gjata, duke kërkuar që projektet të mos mbesin vetëm në letër.
“Pse ministre kaq shume me prit për ‘projekt’ pluss tenderi pastaj fillimi!! E pa pranueshme kjo metodë e punes së ngadalshme!”, ka shkruar një komentues.
Edhe një tjetër qytetar ka vënë në pikëpyetje pritjen deri në vitin 2028 për nisjen e punimeve në digën e Pollatës, duke theksuar se disa fshatra të Podujevës kanë nevojë urgjente për ujë të pijshëm.
“Diga është projekt i rëndësishëm për të gjithë Komunën e Podujevës. Fshatra si Pollata, Dumnica, Llapashtica dhe shumë të tjera kanë nevojë për ujë të pijshëm. Nuk është e drejtë që një projekt kaq i rëndësishëm të presë deri në vitin 2028 për të nisur ndërtimi”, thuhet në koment, ku kërkohet përshpejtim i procedurave dhe rezultate konkrete.
Një tjetër komentues ka ironizuar me mungesën e afateve për përfundimin e projekteve.
“Ministre po na tregon se kur fillojnë ndërtimet e digave, por kur do përfundojnë është më me rëndësi me ditë. Suksese!”, ka shkruar ai.
Kritika ka pasur edhe për digën e Dragaqines, ndërtimi i së cilës është planifikuar të nisë në vitin 2029.
“Ky i Dragaçinës 2029 pak vonë se atëherë nuk jeni në pushtet ju!”, ka komentuar një qytetar.
Ndërkaq, një tjetër ka shkruar me ironi: “Krejt gjys pi leni punt ju jeni tu punu hiq po shihet”.
Në mesin e komenteve janë ngritur edhe çështje të tjera që lidhen me infrastrukturën dhe shërbimet publike.





