Përfaqësuesi i FIFA-s vlerëson punën e ekipit të VAR-it në Kosovë
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka pritur dje në takim Bhaveshan Moorghen, Menaxher i Lartë për Strategjinë e Teknologjisë në Futboll në Departamentin e Inovacionit të FIFA-s, i cili po qëndron në Kosovë për të parë nga afër funksionimin dhe zhvillimin e sistemit VAR.
Sipas Ademit, Moorghen, i cili nga ana e FIFA-s është përgjegjës për mbështetjen dhe koordinimin e projektit VAR në Kosovë, u njoh nga afër me punën, organizimin dhe profesionalizmin e ekipit kosovar.
Përmes një postimi, Ademi ka bërë të ditur se përfaqësuesi i FIFA-s ka shprehur vlerësime të larta dhe përshtypje pozitive për punën dhe përkushtimin e ekipit të VAR-it, si dhe për standardet e arritura deri më tani.
Ademi ka theksuar se ky vlerësim përbën motivim shtesë për FFK-në që të vazhdojë avancimin e teknologjisë dhe ngritjen e standardeve të referimit në futbollin e Kosovës.
Postimi i plotë i Ademit:
Sot pata kënaqësinë të pres në takim Bhaveshan Moorghen, Menaxher i Lartë për Strategjinë e Teknologjisë në Futboll, në Departamentin e Inovacionit të FIFA-s – Zyra Ekzekutive, i cili po qëndron në Kosovë për të parë nga afër funksionimin dhe zhvillimin e sistemit VAR në futbollin tonë.
Moorghen, i cili është përgjegjës nga ana e FIFA-s për mbështetjen dhe koordinimin e projektit VAR në Kosovë, pati mundësinë të njihet nga afër me punën, organizimin dhe profesionalizmin e ekipit tonë.
Veçanërisht inkurajues ishte vlerësimi i tij i lartë dhe përshtypjet jashtëzakonisht pozitive për punën e ekipit tonë të VAR-it, përkushtimin dhe standardet që kemi arritur të ndërtojmë.
Ky vlerësim është një motivim shtesë për të vazhduar avancimin e teknologjisë dhe ngritjen e standardeve të referimit në futbollin e Kosovës.



