Rama nga Manastiri: Bibliotekë digjitale Shqipëri-Kosovë për fëmijët në diasporë, të mbrojmë gjuhën shqipe nga “agresioni” i teknologjisë
Në Manastir të Maqedonisë së Veriut, në Shtëpinë-Muze të Alfabetit Shqip, ku u hodhën themelet e alfabetit kombëtar, kryeministri Edi Rama ka propozuar krijimin e një biblioteke të madhe digjitale, të hapur për çdo fëmijë dhe mësues shqiptar në mbarë botën, me synimin për të ruajtur dhe promovuar gjuhën shqipe, veçanërisht te brezat e rinj në diasporë.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryeministri theksoi nevojën për ta parë mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe përtej kufijve, në kushtet e sfidave që teknologjia digjitale dhe komunikimi global paraqesin për gjuhët e vendeve të vogla.
“Ka sot fëmijë në diasporë që kuptojnë shqipen, por kur duan të tregojnë diçka, i kërkojnë ndihmë mamit. Ka fëmijë sot në Tiranë dhe Prishtinë që flasin shqip gjithë ditën, por po humbasin përditë fjalë nga thesari i shqipes, pasi ajo sot është nën një agresion të madh, si të gjitha gjuhët e vendeve të vogla në kohën e teknologjisë digjitale.
Prandaj them se qeveria e Shqipërisë, e Kosovës dhe të gjitha strukturat që shqiptarët kanë sot në këtë rajon duhet të shohin më tutje, me një projekt afatgjatë për shqipen, mbi themelet që tashmë i kemi ndërtuar së bashku me abetaren e përbashkët dhe me tekstet që kemi punuar bashkë për mësimin e shqipes në distancë.
Do të ishte e pajustifikueshme përballë historisë që Tirana dhe Prishtina, sot në këtë hapësirë ku shqiptari gëzon të drejta që nuk i ka pasur më parë, të mos ndërmerrnin së bashku ndërtimin e një biblioteke të madhe digjitale, të hapur për çdo fëmijë dhe mësues shqiptar në mbarë botën.
Me libra që mund t’i dëgjosh dhe lexosh. Dhe do të ishte bukur që kjo tryezë të merrte jetë me një mësuese nga Tirana, një nga Prishtina, një nga Tetova, një nga Ulqini dhe dy të tjera që japin shqip në Athinë apo Zyrih, të uleshin dhe të na mësonin se çfarë u ka munguar në klasë. Patjetër që besoj se do të mësojmë më shumë prej tyre sesa me shkresat që shkëmbejmë me njëri-tjetrin”, tha Rama.



