“DITA JONË” 2026 edicioni XII në Kërçovë, rangohet si festivali më i mirë në trevat tona

21 nëntor 2026 | 08:39

Edicioni i 12-të i Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë dhe të Rritur “Dita Jonë” është mbajtur në Kërçovë! Ekspertë- profesor nga Tirana e Prishtina kanë shprehur nivelin e lartë prifesional të realizimit në aspekt përmajtësor, teknik dhe impaktin që ka në masë duke e ranguar si më të mirin në trevat tona! Kjo është dëshmi e vullnetit , përkushtimit dhe dashurisë për artin e kulturën që bëri të mundur kapërcimin çdo vështirësie duke marrë parasysh se ky festival është mbajtur pa asnjë mbështetje financiare nga Komuna që tani udhëhiqet nga kryetar maqedon dhe nga Ministria e Kulturës. I tërë ky organizim rezultat i forcës artistike të drejtorit Shkodran Tolaj dhe kordinatores Besiana Mehmedi! Në sallë të stërmbushur, me publik dhe në ballkonet dhe shkallët e Pallatit, Uskana arriti të realizoi një ngjarje madhështore artistike, duke dëshmuar se bashkimi është forca më e madhe e një shoqërie.

Kërçova edhe një herë dëshmoi se di të krijojë, të bashkohet dhe të shkruajë histori përmes kulturës thanë anëtarët e jurisë profesionale! Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë dhe të Rritur “Dita Jonë”, në edicionin e tij të 12-të, u shndërrua në një spektakël të vërtetë artistik, duke sjellë në skenë shumë emocione, talent vendas dhe nga gjitha trevat, profesionalizëm dhe një mesazh të fuqishëm të unitetit kombëtar.

Në një periudhë jo të lehtë për shqiptarët e Kërçovës, ky edicion erdhi si një dëshmi e qartë se dashuria për gjuhën, kulturën dhe traditën nuk varet nga mbështetja institucionale. Përkundrazi, organizatorët dhe mbështetësit dëshmuan se kur ekziston vullneti i përbashkët, familjet, qytetarët, artistët dhe dashamirët e kulturës mund të realizojnë projekte të mëdha edhe pa mbështetjen e Komunës apo Ministrisë së Kulturës, mandje në nivelin më të lartë!

Nën moton e bashkimit, festivali ofroi një produksion të madh, me skenë gjigante, një kor prej 60 anëtarësh kërçovarë, 16 këngë konkurruese nga të gjitha trevat, pika të veçanta artistike dhe performanca të shumta. Në skenë u ngjitën rreth 100 fëmijë dhe të rritur, të cilët përmes këngës, interpretimit dhe talentit të tyre i dhanë këtij edicioni një dimension të veçantë artistik.

Një tjetër vlerë e rëndësishme e festivalit ishte juria profesionale dhe prestigjioze, e përbërë nga emra të njohur të muzikës shqiptare: Xhevdet Gashi, Zhani Ciko dhe profesori Zylqifli Ziba. Niveli i lartë i interpretuesve dhe cilësia artistike e këngëve e bënë të vështirë procesin e vlerësimit, duke dëshmuar se skena e “Dita Jonë” vazhdon të jetë një hapësirë e rëndësishme për promovimin dhe afirmimin e talenteve të reja.

Çmimin e Madh të Festivalit – GRAND PRIX – e fitoi Rajana Dervishi nga Kërçova, me këngën “Shqipëri, atdheu ynë”, që i përkiste 22 dhe 28 nëntorit për çfarë dhe u mbajt festivali!

Mirënjohje e veçantë iu kushtua korit të festivalit, artistëve, krijuesve, prindërve, nxënësve, drejtorëve të shkollave dhe të gjithë mbështetësve që kontribuuan në realizimin e këtij manifestimi. Kontributi i tyre dëshmoi se kultura mbijeton dhe zhvillohet aty ku ekziston përgjegjësia kolektive dhe dëshira për të ruajtur vlerat kombëtare me çdo kusht!

Një urim i veçantë iu drejtua drejtorit Shkodran Tolaj për angazhimin dhe kontributin e tij, ndërsa me emocion u vlerësuan edhe Ylli dhe Zana Ajro, të cilët dikur debutuan në skenën e këtij festivali dhe sot janë pjesë e ekipit profesional. Përgëzime morën gjithashtu Alba dhe Eriona Zendeli, si dhe Marigona Xhambazi, për angazhimin dhe kontributin e tyre në këtë edicion.

“Dita Jonë” tashmë është institucion që ecën dhe pa mbështetje institucionwle dhe pa kryetar komunash sepse ka besimin r popullatës dhe autorëve më të mirë të trevave! Përgjatë 12 vjetëve të ekzistencës, “Dita jonë” është shndërruar në një traditë kulturore, në një shkollë të artit dhe në një platformë ku fëmijët dhe të rinjtë zbulojnë talentin, fitojnë përvojë dhe hedhin hapat e parë drejt skenave profesionale.

Mesazhi i këtij edicioni ishte i qartë: Kërçova ka njerëz, ka talent, ka vlera dhe ka forcë për të realizuar projekte të mëdha kombëtare me moton “Një gjuhë një flamur”
Skena e festivalit “ Dita Jonë” solli himinjn e festivalit “Ne qëndrojmë këtu” si thirrje për ndërgjegjësim kombëtar, që pavarësisht sfidave Kërçova duhet të ruhet shqiptare!

Edicioni i 12-të do të mbahet mend si Edicioni i Bashkimit, një dëshmi e fuqishme se kur njerëzit bëhen bashkë, edhe vështirësitë më të mëdha mund të kapërcehen, seps “Dita Jonë” është identitet, kulturë, dashuri për atdheun dhe dëshmi se në Uskanë, shqiptarët vazhdojnë të ruajnë rrënjët, gjuhën dhe traditën e tyre.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Gjeneral Daut Haradinaj ka publikuar një mesazh emocionues kushtuar Jakup…