Vetëm 55 milionë euro diferencë, Barcelona i afrohet Realit në garën ekonomike
Barcelona po rikthehet fuqishëm në aspektin financiar dhe tashmë është shumë më afër Real Madridit sa u përket të ardhurave të projektuara për sezonin 2026/27.
Sipas shifrave të publikuara në Spanjë, madrilenët parashikojnë të ardhura të zakonshme prej 1.250,2 milionë eurosh, ndërsa Barcelona synon të arkëtojë 1.195 milionë euro.
Kjo e çon diferencën mes dy gjigantëve në vetëm 55 milionë euro, shkruan mediumi spanjoll “Sport”.
Rritja e Barcelonës lidhet kryesisht me rikthimin në “Spotify Camp Nou”, i cili po i mundëson klubit të gjenerojë më shumë të ardhura nga biletat, zonat VIP dhe aktivitetet komerciale.
Katalunasit po përfitojnë gjithashtu nga rritja e shitjeve të produkteve zyrtare dhe kontratat e rëndësishme të sponsorizimit.
Real Madridi, nga ana tjetër, vazhdon të ketë një avantazh të rëndësishëm falë të ardhurave të mëdha nga “Santiago Bernabeu” dhe fuqisë së markës së tij në tregun ndërkombëtar.
Megjithatë, diferenca mes dy klubeve po ngushtohet ndjeshëm.
Barcelona synon ta vazhdojë këtë rritje në vitet e ardhshme, me objektivin që të arrijë të ardhura edhe më të larta kur “Spotify Camp Nou” të jetë plotësisht funksional.
Në këtë mënyrë, gara mes Barcelonës dhe Real Madridit nuk zhvillohet vetëm në fushë, por edhe në aspektin ekonomik.



