Nesër përurohet rruga “Frank Wisner” në Prishtinë, merr pjesë familja e ish-diplomatit amerikan

23 nëntor 2026 | 16:45

Kuvendi Komunal i Prishtinës të martën do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme për emërtimin e rrugës “Frank G. Wisner”.

Emërtimi propozohet në nderim të diplomatit amerikan Frank G. Wisner, ish-emisar i ShBA-së në bisedimet për statusin e Kosovës, për kontributin e tij në këtë proces dhe mbështetjen për pavarësinë e vendit.

Pas miratimit të propozimit, kryetari Përparim Rama, së bashku me familjen e Frank G. Wisnerit, do ta shpalosin pllakën me emrin e rrugës, në orën 11:00.

Frank G. Wisner, nga viti 2005 deri më 2008, nën administratën e George W. Bushit, ka shërbyer si i Dërguar i Posaçëm i SHBA-së dhe Përfaqësues i Posaçëm i Presidentit dhe i Sekretarit të Shtetit për statusin e Kosovës.

Ai ka punuar krah për krah me emisarin special të OKB-së, finlandezin Martti Ahtisaari, për zgjidhjen e statusit përfundimtar, proces që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Në kohën kur statusi përfundimtar i Kosovës u rikthye në krye të agjendës ndërkombëtare, Wisner ishte tërhequr nga shërbimi i jashtëm.

Në nëntor 2005, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së emëroi ish-presidentin finlandez, Martti Ahtisaari, si të Dërguarin e Posaçëm të OKB-së për Procesin e Statusit të Ardhshëm të Kosovës. Në të njëjtin vit, ShBA-ja e emëroi Wisnerin si Përfaqësues të Posaçëm të Presidentit dhe Sekretarit të Shtetit për Statusin e Kosovës.

Mandati i Wisnerit ishte të koordinonte qëndrimin amerikan me Grupin e Kontaktit, që përfshinte ShBA-në, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Rusinë, si dhe të mbështeste procesin e udhëhequr nga Ahtisaari.

Nga shkurti 2006 deri në fillim të vitit 2007, zyra e Ahtisaarit organizoi rreth 17 raunde bisedimesh të drejtpërdrejta midis delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit në Vjenë, si dhe krijoi grupe pune të ekspertëve për çështje si decentralizimi, mbrojtja e pakicave, trashëgimia fetare dhe tranzicioni ekonomik.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, Wisner ka qenë ndërlidhësi kryesor amerikan. Ai ka lëvizur vazhdimisht mes Uashingtonit, Brukselit, kryeqyteteve kryesore evropiane, Prishtinës dhe Beogradit, si dhe ka qenë i pranishëm me ekipin e Ahtisaarit në çdo fazë të punës për hartimin e dokumentit.

Në mars 2007, Ahtisaari ia paraqiti zyrtarisht Këshillit të Sigurimit të OKB-së “Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”, të shoqëruar me rekomandimin e tij që Kosova të kalonte drejt pavarësisë.

Të dielën, më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme, ku miratoi njëzëri deklaratën e pavarësisë, pas së cilës erdhën njohjet e para.

Kujtojmë se diplomati amerikan Frank G. Wisner ka ndërruar jetë më 24 shkurt 2025, në moshën 86-vjeçare.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Mundësitë që Manchester Unitedi të bjerë nga Premierliga mund të…