Shkon Martini, Hasnije Ilazi propozohet ambasadore në Kroaci
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, nuk do të jetë në këtë pozitë edhe për një mandat.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka propozuar Hasnije Ilazin për ambasadore të Kosovës në Kroaci.
Konjufca tashmë i është drejtuar Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë të Kuvendit të Kosovës me kërkesën që të shqyrtojë propozimin për emërimin e Ilazit në këtë pozitë diplomatike.
“Në rrafshin e drejtimit institucional dhe arritjeve profesionale, znj. Ilazi ka shërbyer si Kryetare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim (2021–2026), ku ka udhëhequr procese kyçe të ngritjes së cilësisë dhe përshtatjes me standardet evropiane, si dhe mban titullin Presidente Nderi e këtij institucioni”, është thënë, ndër të tjera, në letrën e Konjufcës.
Ambasadori Martin Berishaj është përfolur për afera korruptive dhe është bërë objekt i raportimeve në media për dyshime që lidhen me transaksione financiare në kuadër të blerjes së energjisë elektrike.



