6.6 milionë euro për zhvillimin e zonave ndërkufitare Kosovë – Mali i Zi
Në Podgoricë është mbajtur ceremonia e ndarjes së granteve në kuadër të thirrjes së parë të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Mali i Zi – Kosovë 2021 – 2027, ku janë kontraktuar 12 projekte me vlerë të përgjithshme prej rreth 6.6 milionë euro.
Projektet do të zbatohen në zonat ndërkufitare të Kosovës dhe Malit të Zi, me synim rritjen e mundësive për punësim, fuqizimin e përfshirjes sociale, zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve dhe institucioneve lokale.
Në ceremoninë e ndarjes së granteve morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe Malit të Zi, delegacionit të Bashkimit Evropian, si dhe përfituesit e projekteve.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Jeton Qela, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar për zhvillimin ekonomik dhe social të zonave përfituese.
Ai vuri në pah edhe rolin e komunave, organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve lokale në realizimin e projekteve që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.
Zbatimi i këtyre 12 projekteve pritet të krijojë mundësi të reja për qytetarët dhe të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve në të dyja anët e kufirit.



