Detaje tronditëse nga dosja për vrasjen e Arlinda Zekajt, si u përcoll nga vjehrra e kunati para se të vritej

24 nëntor 2026 | 18:48

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër personave të dyshuar për përfshirje në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës.

Kërkesa për paraburgim është paraqitur ndaj Nurije Sylajt, ish-vjehrrës së viktimës, Driton Sylajt, ish-kunatit të saj, si dhe Metë Pepajt e Gëzim Bobit.

Sipas Prokurorisë, Nurije dhe Driton Sylaj dyshohen se ndihmuan në përgatitjen dhe lehtësimin e vrasjes, ndërsa Pepaj dhe Bobi dyshohet se e ndihmuan Albert Sylajn pas kryerjes së krimit, duke e transportuar dhe strehuar për t’i mundësuar shmangien nga organet e rendit.

Ndërkohë, hetimet janë zgjeruar edhe ndaj ish-bashkëshortit të viktimës, Jeton Sylaj, i cili dyshohet për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”.

“Betimi për Drejtësi” ka publikuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, në të cilën përshkruhen veprimet që dyshohet se kanë ndërmarrë katër personat.

Sipas dosjes, Nurije Sylaj dyshohet se, nga 22 tetori 2026, kur Arlinda Zekaj ishte kthyer për të jetuar në shtëpinë familjare, e kishte fotografuar dhe incizuar vazhdimisht, duke ruajtur në telefonin e saj fotografi dhe video që pasqyronin praninë dhe lëvizjet e viktimës.

Në telefonin e saj, sipas Prokurorisë, është gjetur edhe një video e datës 23 tetor 2026, ku Arlinda shihet duke ecur në qytet. Dyshohet se këtë video ia kishte dërguar Driton Sylaj përmes aplikacionit WhatsApp.

Prokuroria vlerëson se këto veprime ishin pjesë e një koordinimi paraprak me persona të tjerë, me qëllim të sigurimit dhe shkëmbimit të informacioneve për lëvizjet dhe vendndodhjen e viktimës, duke lehtësuar kështu realizimin e planit të dyshuar për vrasjen e saj.

Vjehhra dyshohet se ishte e pranishme gjatë sulmit me sëpatë, por nuk ndërhyri

Një tjetër pretendim i Prokurorisë lidhet me praninë e Nurije Sylajt në shtëpi në momentin e vrasjes.

Sipas kërkesës për paraburgim, ajo fillimisht kishte qenë në sallon e më pas në dhomën e gjumit, gjatë kohës kur Albert Sylaj e sulmoi Arlinda Zekajn me sëpatë.

Prokuroria pretendon se Nurije Sylaj nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për ta penguar apo ndërprerë sulmin, ndonëse ishte e pranishme dhe në dijeni të asaj që po ndodhte.

Po ashtu, ajo dyshohet se pas vrasjes, në deklaratën e dhënë në cilësinë e dëshmitares, kishte tentuar t’i devijonte hetimet dhe t’i fshihte rrethanat e vërteta të ngjarjes. Sipas Prokurorisë, ajo kishte pretenduar se viktima e kishte shtyrë dhe rrëzuar në tokë, ndërsa vetë kishte qenë pa ndjenja në kohën e kryerjes së vrasjes.

Këto pretendime, sipas organit të akuzës, nuk përputhen me incizimet e kamerave të sigurisë, në njërën prej të cilave shihet një pjesë e ngjarjes dhe prania e saj gjatë veprimeve të Albert Sylajt.

Për këto veprime, Nurije Sylaj dyshohet për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë”.

Driton Sylaj dyshohet se e përcolli viktimën dhe ia dërgoi videon ish-vjehrrës së saj

Edhe Driton Sylaj dyshohet se kishte ndihmuar në përgatitjen dhe lehtësimin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Sipas Prokurorisë, ai kishte përcjellë lëvizjet e viktimës dhe kishte siguruar informacione për vendndodhjen e saj. Më 23 tetor 2026, ai dyshohet se e kishte incizuar Arlindën duke ecur në qytet dhe videon ia kishte dërguar Nurije Sylajt përmes WhatsApp-it.

Ky material, sipas kërkesës, është gjetur në telefonin e Nurije Sylajt.

Prokuroria pretendon se Driton Sylaj i kishte ndërmarrë këto veprime duke qenë në dijeni për planin e dyshuar të personave të tjerë për vrasjen e Arlindës dhe me qëllim që, përmes informacioneve për lëvizjet e saj, të lehtësonte realizimin e krimit.

Po ashtu, sipas dosjes, pas kryerjes së vrasjes, Albert Sylaj e kishte njoftuar Driton Sylajn për ngjarjen.

Ai dyshohet për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë”.

Dy të dyshuarit e tjerë dyshohet se e transportuan dhe strehuan Albert Sylajn

Në kërkesën e Prokurorisë përshkruhen edhe veprimet që dyshohet se kanë ndërmarrë Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Sipas dosjes, më 25 tetor 2026, Pepaj e kishte marrë Albert Sylajn me automjetin e tij dhe e kishte transportuar deri në fshatin Bec, me qëllim që ta largonte nga vendi ku mund të lokalizohej dhe arrestohej nga organet e rendit.

Më pas, Albert Sylaj dyshohet se ishte marrë dhe strehuar nga Gëzim Bobi në banesën e tij në Gjakovë.

Prokuroria pretendon se më 26 tetor, rreth orës 11:30, Bobi e kishte transportuar Albert Sylajn me automjetin e tij në drejtim të fshatit Maznik, me qëllim që t’i mundësonte vazhdimin e fshehjes dhe shmangien nga arrestimi.

Për këto veprime, Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi dyshohen për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”.

Prokuroria thotë se nga telefonat dolën komunikime kërcënuese ndaj dëshmitarëve dhe një të miture

Një nga arsyet kryesore për të cilat Prokuroria ka kërkuar paraburgimin e katër të dyshuarve lidhet edhe me rrezikun e ndikimit te dëshmitarët.

Në kërkesë, Prokuroria thotë se nga ekzaminimi i telefonave të sekuestruar janë gjetur komunikime shqetësuese dhe kërcënuese ndaj dëshmitares A.S. dhe një të miture, të identifikuar me inicialet N.N.

Sipas organit të akuzës, këto komunikime tregojnë mundësinë e ushtrimit të ndikimit mbi sjelljen dhe qëndrimin e personave që kanë njohuri për rastin.

Në njërin prej mesazheve, drejtuar vajzës së mitur të Albert Sylajt, thuhet se janë përdorur shprehje fyese dhe nënçmuese, përfshirë kërcënimin: “Është qika e re, mashtrohet naj sen, ma q***** nanën mos u bofshi ma zi se ajo”.

Prokuroria vlerëson se këto komunikime dëshmojnë ekzistimin e një klime frikësimi dhe presioni ndaj personave që mund të kontribuojnë në ndriçimin e rastit.

“Shqetësimi kryesor ishte zbulimi i bashkëpunimit”

Prokuroria pretendon se nga komunikimet e siguruara në telefonat e Nurije dhe Driton Sylajt rezulton se shqetësimi kryesor i tyre nuk lidhej me vrasjen e Arlinda Zekajt, por me mundësinë që të zbulohej bashkëpunimi dhe përfshirja e tyre në ngjarje.

Në dosje përmenden edhe komunikime që, sipas Prokurorisë, përmbajnë presion dhe kërcënime ndaj personave që mund të kishin njohuri për rastin.

Në njërin prej tyre citohet: “Diçka nije për to, shoh diçka, dije se tona trutë në tokë kom me ja qitë kësaj e ty, me ditë që s’e shoh diellin kurrë me sy”.

Sipas Prokurorisë, këto mesazhe dëshmojnë një qëndrim intimidues ndaj personave që mund të kontribuojnë në ndriçimin e rrethanave të vrasjes.

Në kërkesë theksohet gjithashtu se nga komunikimet ndërmjet Driton dhe Nurije Sylajt vërehet se kjo e fundit kishte rol me ndikim në vendimmarrjen brenda familjes.

Prokuroria shton se në këto komunikime nuk vërehet shprehje keqardhjeje apo distancim nga vrasja e Arlinda Zekajt, por, sipas saj, shqetësimi lidhet kryesisht me mundësinë e zbulimit të bashkëpunimit të dyshuar.

Prokuroria kërkon paraburgim për shkak të rrezikut të ndikimit te dëshmitarët dhe përsëritjes së veprave penale

Prokurori Armend Hamiti ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të dyshuarve.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se Nurije dhe Driton Sylaj kanë ndihmuar në kryerjen e vrasjes, ndërsa Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi kanë ndihmuar Albert Sylajn pas kryerjes së saj.

Organi i akuzës vlerëson se, nëse të dyshuarit lihen në liri, mund të pengojnë zhvillimin e procedurës penale përmes ndikimit, frikësimit apo ushtrimit të presionit ndaj dëshmitarëve, veçanërisht ndaj familjarëve të tyre.

Prokuroria i referohet edhe mënyrës së kryerjes së vrasjes, rrethanave që i kanë paraprirë ngjarjes dhe sjelljeve të të dyshuarve pas saj, përfshirë komunikimet kërcënuese dhe dyshimet për përpjekje për të fshehur përfshirjen në rast.

Sipas saj, ekziston edhe rreziku i përsëritjes së veprave penale, ndërsa masat alternative nuk do të ishin të mjaftueshme për të siguruar zhvillimin e rregullt dhe pa pengesa të procedurës penale.

Të gjitha këto janë pretendime të Prokurorisë të paraqitura në kërkesën për caktimin e paraburgimit, ndërsa përgjegjësia penale e të dyshuarve do të vlerësohet nga gjykata gjatë procedurës.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së…