Aksion kundër korrupsionit në Ferizaj, ndalohen tre të dyshuar – mes tyre zyrtarë gjykatash dhe një avokat

24 nëntor 2026 | 17:09

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në dy lokacione të ndryshme në rajonin e Ferizajt, në kuadër të një hetimi për dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ushtrim të ndikimit.

Sipas njoftimit të Policisë, aksioni është realizuar më 24 nëntor 2026, rreth orës 08:50, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në këtë rast janë të dyshuar tre persona, të cilët dyshohet se kanë vepruar në pozita dhe role të ndryshme zyrtare, përfshirë zyrtarë të gjykatave në Ferizaj dhe Gjakovë, si dhe një avokat.

Ata dyshohen për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Ushtrim i ndikimit”, në bashkëkryerje.

Sipas hetimeve, të dyshuarit dyshohet se kanë ushtruar ndikim në proceset dhe afatet kohore të shpalljes së vendimeve gjyqësore, si dhe në çështje që lidhen me punësimin.

Gjatë kontrolleve, Policia ka sekuestruar katër telefona celularë, dy shtëpiza kompjuteri dhe dokumentacion relevant për hetimet.

Tre personat e dyshuar janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa, me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, janë ndaluar për 48 orë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Intervistimi i Nurije Sylës, ish-vjehrrës së Arlinda Zekajt, ka nisur…