Kallëzim penal kundër Vuçiqit e Bërnabiqit, ish-kryeinspektori tatimor dyshon se i shkaktuan Telekomit dëme miliardëshe

25 nëntor 2026 | 12:54

Ish-kryeinspektori tatimor në pension, Dushko Vuksanoviç, ka dorëzuar sot një kallëzim penal në Prokurorinë Publike për Krimin e Organizuar kundër zyrtarëve të lartë të administratës së mëparshme, duke pretenduar se ata i kanë shkaktuar dëme interesit publik dhe aseteve të “Telekom Srbija”-s në vlerë prej mbi 1.2 miliardë eurosh.

Në kallëzimin, i cili i është dorëzuar agjencisë së lajmeve “Beta”, thuhet se Vuksanoviçi ka ngritur akuza kundër ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe ish-kryetares së Kuvendit, Ana Bërnabiq, në cilësinë e organizatorëve dhe palëve të përfshira, si dhe kundër ish-drejtorit dhe drejtorit aktual të Telekomit, Predrag Çulibrk dhe Vladimir Luçiç, në cilësinë e kryerësve të drejtpërdrejtë.

Kallëzimi përfshin gjithashtu përfaqësues të kompanive të tjera, si dhe individë të paidentifikuar.

“Provat materiale tregojnë se ka baza për dyshimin se, midis viteve 2018 dhe 2026, është zbatuar një skemë kriminale sistematike shumëvjeçare. Të vetëdijshëm plotësisht për veprimet e tyre dhe paligjshmërinë e tyre, personat e denoncuar kanë orkestruar degradimin e qëllimshëm të aseteve të kësaj ndërmarrjeje strategjike shtetërore. Kjo ka rezultuar në dëme të drejtpërdrejta kontraktuale prej 780.7 milionë eurosh – që rrjedhin nga kontrata me vlera të fryra – ndërkohë që, njëkohësisht, është krijuar një deficit operativ prej 437 milionë eurosh”, ka deklaruar ai.

Ankuesi pohon se veprimet e individëve të raportuar nuk përbëjnë vetëm vepra penale që lidhen me detyrën zyrtare dhe aktivitetin ekonomik, por edhe krime kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Serbisë. Këto përfshijnë sabotim të kryer nëpërmjet paaftësisë së qëllimshme ekonomike të infrastrukturës kritike të vendit, komplot për t’u angazhuar në aktivitete jokushtetuese (veçanërisht duke përdorur fonde publike për të financuar eliminimin e pluralizmit mediatik) dhe vepra të tjera penale të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë shtetërore.

Për më tepër, sipas Vuksanoviqit, veprimet përfshijnë abuzim me pozitën zyrtare, ushtrim të ndikimit, pastrim parash, mashtrim në kryerjen e aktiviteteve të biznesit dhe përvetësim.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Delegacioni i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, i…