BQK-ja miraton tri udhëzime për zbatimin gradual të Bankimit të Hapur në Kosovë
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka miratuar tri udhëzime që përcaktojnë standardet teknike dhe të sigurisë së ndërfaqeve të programimit të aplikacioneve (API), si dhe kërkesat për menaxhimin e pëlqimit të klientëve në kuadër të Bankimit të Hapur (Open Banking).
Miratimi i udhëzimeve shënon një hap të mëtejshëm drejt zbatimit gradual të Bankimit të Hapur në Kosovë, në zbatim të Ligjit Nr. 10/L-026 për Shërbimet e Pagesave dhe të Rregullores së BQK-së për standardet teknike për autentifikim të thelluar të klientit dhe standardet e hapura, të përbashkëta dhe të sigurta të komunikimit.
BQK-ja ka miratuar këto udhëzime: Udhëzimin për profilin e standardeve teknike të API-ve për Bankimin e Hapur; Udhëzimin për sigurinë e API-ve për Bankimin e Hapur; Udhëzimin për menaxhimin e pëlqimit për Bankimin e Hapur.
Bankimi i Hapur u mundëson klientëve që, me pëlqimin e tyre, t’u lejojnë ofruesve të autorizuar ose të regjistruar nga BQK-ja të kenë qasje të sigurt në informacionin e llogarive të tyre të pagesave ose të iniciojnë pagesa nga këto llogari.
Klientët vendosin se cilit ofrues i japin pëlqimin, për cilin shërbim dhe për sa kohë dhe mund ta tërheqin atë në çdo kohë.



