KQZ-ja merr pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Zgjedhjeve që po mbahet në Turqi
Një delegacion i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në përbërje të kryesuesit Kreshnik Radoniqi dhe anëtarëve Violeta Salihu dhe Yıldıray Bayrami, po merr pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Zgjedhjeve, të organizuar nga Këshilli i Lartë Zgjedhor i Republikës së Turqisë.
Qëllimi i këtij forumi, ku po marrin pjesë rreth 60 përfaqësues të institucioneve të menaxhimit të zgjedhjeve dhe organizatave të ndryshme nga 25 shtete, është forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e administrimit të zgjedhjeve, si dhe rritja e shkëmbimit të njohurive dhe përvojave ndërmjet shteteve.
Gjatë dy ditëve të zhvillimit të kësaj ngjarjeje ndërkombëtare, temat kryesore të diskutimeve kanë qenë rritja e pjesëmarrjes në zgjedhje përmes praktikave institucionale, bashkëpunimi i institucioneve zgjedhore me mediat dhe publikun, si dhe përdorimi i teknologjisë në zgjedhje.
Gjithashtu, ky forum ka shërbyer si mundësi që delegacioni i KQZ-së të zhvillojë takime me përfaqësues të trupave institucionale zgjedhore nga shtete të ndryshme, me të cilët janë diskutuar mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe shkëmbimit të përvojave më të mira zgjedhore.
Në këtë drejtim, në një sesion të veçantë, delegacioni i KQZ-së është takuar edhe me kreun e Këshillit të Lartë Zgjedhor të Republikës së Turqisë, Serdar Mutta.



