Kuvendi mblidhet nesër në dy seanca

25 nëntor 2026 | 14:16

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër (e enjte) dy seanca plenare.

Seanca e parë, e cila nis në orën 10:00, do të jetë vazhdim i seancave të mbajtura më 12, 13 dhe 19 nëntor, gjatë të cilave do të shqyrtohen disa pika të mbetura pa u përfunduar.

Në mesin e tyre është votimi i propozim-rezolutës nga interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur katër muaj pa terapi, si dhe me mungesën e barnave onkologjike.

Po ashtu, deputetët do të votojnë edhe propozim-rezolutën për gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.

Në rend dite janë edhe emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, zgjedhja e anëtarëve të Bordit të RTK-së dhe rekomandimi për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

Ndërkaq, në orën 13:00 do të mbahet seanca e rregullt plenare, ku, përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë edhe miratimin e buxhetit të Komisionit Parlamentar Hetimor për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Vonesat në përgatitje, mospajtimet mes institucioneve përgjegjëse për organizimin dhe…