Trumpi ndryshon qëndrim ndaj senatorit Abdul El-Sayed, e lavdëron si ‘djalë të zgjuar’
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka befasuar me qëndrimin e tij ndaj senatorit të zgjedhur demokrat, Abdul El-Sayed, të cilin vetëm disa javë më parë e kishte quajtur “xhihadist të çmendur”, ndërsa tani e ka lavdëruar si “djalë të zgjuar”.
Në një intervistë për “The New York Post”, Trumpi ka thënë se El-Sayed kishte bërë një punë shumë të mirë dhe se planifikon të takohet me të për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e shëndetësisë.
“Është djalë i zgjuar. Ka bërë punë të mirë. Në fakt, ka bërë punë shumë të mirë. E di që do të takohem me të. Ndoshta mund të gjejmë një pikë të përbashkët”, ka deklaruar Trumpi.
El-Sayed, i cili ka fituar zgjedhjet për Senatin në Michigan, ka propozuar një program të sigurimit shëndetësor për të gjithë amerikanët, të njohur si “Medicare for All”.
Për të siguruar mbështetjen e Trumpit, demokrati madje ka shprehur gatishmërinë që programi të marrë emrin “TrumpCare”.
Ai ka publikuar edhe një imazh të një karte të artë me këtë emër, duke i bërë thirrje presidentit amerikan që të garantojë kujdes shëndetësor për çdo qytetar, nga lindja deri në vdekje.



