ShBA-ja propozon tarifa të reja ndaj BE-së, Kinës dhe partnerëve të tjerë tregtarë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë njoftuar një sërë tarifash të reja doganore ndaj disa prej partnerëve të tyre më të mëdhenj tregtarë.
Masat vijnë pas një hetimi të zhvilluar në bazë të nenit 301 të legjislacionit amerikan të tregtisë, lidhur me kapacitetet e tepërta strukturore dhe nivelin e prodhimit në sektorë të ndryshëm të industrisë përpunuese, sipas “BBC”-së.
Hetimi përfshin Kinën, Bashkimin Evropian, Singaporin, Zvicrën, Indonezinë, Malajzinë, Kamboxhian, Tajlandën, Korenë e Jugut, Vietnamin, Tajvanin, Bangladeshin, Japoninë dhe Indinë.
Tarifat do të ndryshojnë në varësi të shtetit dhe produkteve që preken nga masat e reja.
Normën më të lartë e përballon Kina, me tarifa deri në 40 për qind, e ndjekur nga Vietnami me deri në 35 për qind. Ndërsa vendet e tjera do të përballen me tarifa prej 20 ose 25 për qind.
Megjithatë, në disa raste, ndikimi i këtyre masave pritet të jetë më i kufizuar, pasi do të zbatohen kufizimet maksimale të tarifave, për të cilat presidenti amerikan, Donald Trump, ka arritur më herët marrëveshje me disa prej partnerëve tregtarë.



