Kancelari gjerman paralajmëron: Rusia synon më shumë se Ukrainën
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka paralajmëruar se Gjermania ka neglizhuar për një kohë të gjatë çështje thelbësore që lidhen me sigurinë, infrastrukturën, ndryshimet demografike dhe ekonominë, duke theksuar nevojën për veprim urgjent për t’i adresuar ato.
Në një fjalim të gjerë mbi buxhetin, ai është përqendruar te situata ndërkombëtare dhe, në veçanti, te kërcënimi që paraqet Rusia për sigurinë evropiane.
Merz e ka përdorur këtë argument për të shpjeguar domosdoshmërinë e marrjes së vendimeve të rëndësishme, veçanërisht në fushën e mbrojtjes.
“Rusia e di saktësisht se çfarë dëshiron dhe dëshiron më shumë sesa Ukraina”, ka paralajmëruar ai, citon “The Guardian”.
Kancelari gjerman ka kritikuar ashpër ata që, sipas tij, nuk arrijnë t’i kuptojnë objektivat e Moskës dhe implikimet e tyre për sigurinë e Evropës.
“Kushdo që nuk arrin ta kuptojë këtë ose nuk e kupton botën ashtu siç është, ose po ndjek një agjendë krejtësisht të ndryshme – një agjendë që është në kundërshtim me lirinë, hapjen dhe vlerat liberale të vendit tonë.”
Merz ka paralajmëruar gjithashtu se Rusia po shton presionin dhe aktivitetet e saj destabilizuese në disa rajone strategjike, përfshirë vendet baltike, Poloninë, Detin e Zi dhe madje edhe hapësirën kozmike.
“Rusia po përshkallëzon tensionet në rajonin e Baltikut, në Poloni, në Detin e Zi dhe madje edhe në hapësirën kozmike”, ka thënë ai.
Duke theksuar seriozitetin e situatës, Merz ka shtuar se përshkallëzimi nuk kufizohet vetëm në skenën ndërkombëtare, por shtrihet edhe brenda kufijve të vendeve evropiane, duke sjellë pasoja të rënda.
“Po përshkallëzohet në një shkallë masive – përfshirë këtu brenda kufijve tanë, madje edhe me koston e jetëve njerëzore. Kjo është situata, zonja dhe zotërinj. Dhe kjo është arsyeja pse ne, si evropianë, duhet – dhe do të – vendosim kufij të qartë për Rusinë”, ka thënë Merz.



