Ukraina godet bazën ajrore ruse, dëmtohen pesë aeroplanë ushtarakë, përfshirë tre MiG-31
Forcat ukrainase kanë goditur bazën ajrore ushtarake Savasleyka në rajonin e Nizhny Novgorodit në Rusi, duke dëmtuar pesë aeroplanë ushtarakë, ka njoftuar të mërkurën Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës.
Sipas raportimit të agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Reuters, sulmi është realizuar më 24 nëntor dhe gjatë natës deri më 25 nëntor, në kuadër të operacioneve ukrainase me rreze të gjatë veprimi kundër objektivave ushtarake ruse.
Sipas vlerësimeve paraprake të ushtrisë ukrainase, në mesin e aeroplanëve të dëmtuar janë tre avionë luftarakë MiG-31 dhe dy bombardues luftarakë Su-34.
Shtabi i Përgjithshëm ukrainas ka bërë të ditur se të pesë aeroplanët janë nxjerrë përkohësisht jashtë funksionit dhe nuk do të mund të fluturojnë për një periudhë kohore.
Megjithatë, autoritetet ukrainase kanë theksuar se vlerësimi i shkallës së dëmeve dhe numrit përfundimtar të aeroplanëve të goditur është ende duke vazhduar.
Baza ajrore Savasleyka ndodhet në rajonin e Nizhny Novgorodit, në lindje të Moskës, dhe konsiderohet një objekt me rëndësi strategjike për aviacionin ushtarak rus.
Ajo përdoret nga aeroplanët MiG-31, disa variante të të cilëve janë të pajisura për bartjen dhe lëshimin e raketave hipersonike Kinzhal, të cilat Rusia i përdor në sulmet kundër objektivave në Ukrainë.
Rusia nuk kishte reaguar menjëherë ndaj pretendimeve të ushtrisë ukrainase për dëmtimin e pesë aeroplanëve.
Sulmi vjen në kohën kur Ukraina po intensifikon operacionet me dronë dhe armë me rreze të gjatë veprimi kundër kapaciteteve ushtarake dhe infrastrukturës strategjike të Rusisë.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Yevhenii Khmara, ka deklaruar këtë javë se forcat ukrainase kanë goditur 16 lëshues rusë të raketave balistike gjatë muajve të fundit.
Ndërkohë, luftimet mes dy vendeve vazhdojnë pavarësisht përpjekjeve të reja diplomatike, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, për arritjen e një marrëveshjeje që do t’i jepte fund luftës.



