Huthët godasin rafinerinë më të madhe të Arabisë Saudite, rritet tensioni në rajon

26 nëntor 2026 | 00:48

Rebelët Huthi të Jemenit kanë pretenduar se kanë sulmuar rafinerinë e naftës Ras Tanura në Arabinë Saudite, një prej objekteve më të rëndësishme energjetike të mbretërisë, duke shkaktuar zjarre në këtë kompleks industrial.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, zëdhënësi ushtarak i Huthëve, Yahya Saree, ka deklaruar të mërkurën se sulmi ndaj rafinerisë kishte qenë i drejtpërdrejtë dhe kishte shkaktuar zjarr në objekt.

Ndërkohë, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite ka njoftuar se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë interceptuar dhe shkatërruar katër dronë mbi zonën e Ras Tanuras, në provincën lindore të vendit. Megjithatë, koalicioni nuk ka konfirmuar zyrtarisht se rafineria është goditur.

Reuters, duke iu referuar imazheve satelitore të NASA-s dhe kompanisë Planet Labs, ka raportuar për sasi të mëdha tymi të zi në zonën përreth rafinerisë. Një burim i njohur me çështjen ka konfirmuar se ka pasur sulm.

Rafineria Ras Tanura ka kapacitet për përpunimin e rreth 550 mijë fuçive naftë në ditë dhe ndodhet pranë një terminali të rëndësishëm për eksportin e naftës bruto saudite. Kompleksi konsiderohet ndër objektet strategjike të sektorit energjetik të mbretërisë.

Sulmi vjen në një periudhë të përshkallëzimit të tensioneve ndërmjet Huthëve dhe Arabisë Saudite. Sipas Reutersit, rebelët kanë intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës saudite që nga rifillimi i luftimeve në Jemen, në korrik, në kuadër të përhapjes rajonale të konfliktit SHBA-Iran.

Huthët kanë pretenduar gjithashtu se kanë ndërmarrë sulme ndaj porteve saudite në Xheda dhe Xhizan, si dhe ndaj zonës financiare në kryeqytetin Riad.

Mbrojtja civile saudite ka njoftuar se 11 persona janë plagosur të martën nga një sulm ndaj një kulle në zonën financiare të Riadit, ku ndodhet edhe selia e Fondit të Investimeve Publike të Arabisë Saudite. Kjo ishte hera e dytë brenda më pak se një jave që ndërtesa sulmohej.

Huthët kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë operacionet ushtarake kundër Arabisë Saudite, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e infrastrukturës energjetike dhe stabilitetin në rajon.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Avokati Besnik Berisha ka dhënë detaje të rënda lidhur me…