Arrestohen tre persona të dyshuar për krim të organizuar, sekuestrohet pasuri mbi një milionë euro
Në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nën udhëhejqen e Prokurorisë Speciale të Kosovës, të mërkurën më 25.11.2026 hetuesit nga Policia e Kosovës, përkatësisht nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, kanë zhvilluar një operacion policor, të mbështetur edhe njësitë tjera hetuese, Njësitë Speciale (FIT) dhe AKI-ja, në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.
Ky aksion, është realizuar në katër lokacione të ndryshme, ku si rezultat janë arrestuar në flagrancë tre persona të dyshuar për përfshirje në vepra penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Mashtrimi” dhe “Shpëlarja e parave”.
Gjatë realizimit të urdhër kontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë: 19 vetura; 1 motoçikletë; 6 telefona; 5 kompjuterë; 6 USB; 4,095.00 euro para të gatshme; 11.28 gramë substancë e dyshuar narkotike; Dokumente të ndryshme relevante për rastin.
Nga hetimet e deritanishme, ekziston dyshimi i bazuar se tre personat e arrestuar, përmes sistemeve kompjuterike, komunikimeve elektronike dhe telefonike, kanë kontaktuar persona të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj, të cilët, i kanë vënë në lajthitje dhe i kanë nxitur të investojnë në platforma të rreme investimi, duke i shtyrë të ndërmarrin veprime në dëm të pasurisë së tyre.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të vazhdojë ndërmarrjen e veprimeve hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi dhe praktikat ndërkombëtare



