Rroga e 13-të dhe paga minimale prej 600 eurosh për punëtorët e sektorit privat, sindikalistët paralajmërojnë protestë
Sindikalistët e sektorit privat në Kosovë kanë paralajmëruar organizimin e një proteste gjatë muajit dhjetor, para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Lajmin e ka bërë me dije kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, i cili ka njoftuar se në një takim me kryetarët e shoqatave të punëtorëve të sektorit privat në Prishtinë është vendosur që protesta të mbahet me qëllim të kërkimit të përmirësimit të kushteve dhe të drejtave të punëtorëve.
Sipas njoftimit të sindikatës, protestuesit do të paraqesin tri kërkesa kryesore: paga minimale të jetë 600 euro, duke filluar nga 1 janari 2027; pagesa e pagës së 13-të edhe për punëtorët e sektorit privat, njësoj si për ata të sektorit publik; si dhe pagesa e stazhit të punës për punëtorët e sektorit privat.
Azemi ka bërë me dije se këto kërkesa i janë dorëzuar Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që nga prilli i vitit 2026, por sindikata po kërkon që ato të marrin përgjigje konkrete.
Më tutje , në njoftim theksohet se punëtorët e sektorit privat meritojnë trajtim të barabartë, dinjitet dhe respekt për kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit.



