Rrahmani i përgjigjet Kurtit: Vajzën e shkollon në Norvegji, ndërsa fëmijët e mi i ke në shkollat e Kosovës
Deputeti nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, i është përgjigjur kryeministrit Albin Kurti, pas debatit të zhvilluar mes tyre në Kuvend lidhur me edukimin seksual në shkolla.
Në një lidhje direkte në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Rrahmani ka komentuar deklaratën e Kurtit, i cili gjatë seancës i tha që t’i mbajë mendtë diku tjetër, pasi sipas tij, ai vazhdimisht rikthen temat e seksit, gjinisë dhe orientimit seksual.
Rrahmani tha se shqetësimi i tij lidhet me atë që mësojnë fëmijët në shkollat publike të Kosovës, duke përmendur edhe djalin e tij, i cili vijon mësimin në një shkollë pranë Kuvendit.
“Unë i mbaj mendtë te fëmijët, se çka kanë me mësu në fillim për djalin tim që e kam në shkollë publike këtu afër Kuvendit, nja 100 metra larg, edhe për atë se çfarë u shpjegojnë dhe çka kanë me ua shpjegu mësimdhënësit, të cilët i ka trajnuar Albin Kurti”, ka thënë Rrahmani.
Ai ka përmendur edhe vajzën e kryeministrit, duke thënë se ajo shkollohet në Norvegji, ndërsa ka kritikuar qasjen e Kurtit ndaj kësaj çështjeje.
“Kryeministri nuk i mban mendtë se çka kanë me mësu fëmijët dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, për shkak se vajzën e ka tu u shkollu në Norvegji. Dhe absolutisht që qasjen e tillë e kam paraparë nga ana e kryeministrit, për shkak se angazhimi i tij është pikërisht që këtë me ua ofru fëmijëve të këtij vendi, përderisa vajzën e tij e ka larguar prej vendit dhe e shkollon jashtë Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.
Rrahmani ka thënë se kjo temë do të vazhdojë të jetë pjesë e diskutimeve të tij në Kuvend.
“Këtë temë ka me pasë diskutim për katër vjet në Kuvend, sepse nuk kam me leju që agjenda e tij kundër familjes tradicionale me ecë përpara”, është shprehur deputeti i PDK-së.



