Trump thotë se i kërkoi Putinit të ndalë agresionin ushtarak në Evropë

26 nëntor 2026 | 23:31

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se gjatë bisedimeve me presidentin rus, Vladimir Putin, në Kinë javën e kaluar, i ka kërkuar atij të ndalë të gjitha format e agresionit ushtarak ndaj territoreve në Evropë.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social “Truth Social”, Trump ka thënë se gjatë takimit me Putinin i kishte kushtuar kohë të konsiderueshme kësaj çështjeje, me shpresën se një hap i tillë do të mundësonte arritjen e shpejtë të një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Gjatë bisedimeve të mia në Kinë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, kam kaluar shumë kohë duke folur për faktin se do të doja ta shihja presidentin Putin të tërhiqte të gjithë agresionin ushtarak kundër territoreve në mbarë Evropën, me shpresën se mund të arrihet një marrëveshje mes Rusisë dhe Ukrainës, dhe atë sa më shpejt”, ka shkruar Trump.

Ai ka shprehur bindjen se një marrëveshje e tillë është e mundur, duke e cilësuar luftën në Ukrainë si një gjakderdhje të madhe.

“Unë vërtet besoj se kjo është një mundësi shumë reale. Mijëra njerëz po vriten çdo muaj. Një gjakderdhje e plotë”, ka shkruar presidenti amerikan.

Trump nuk ka sqaruar konkretisht se cilat territore evropiane kishte parasysh dhe çfarë veprimesh të Rusisë kërkoi të ndaleshin.

Deklarata e tij vjen në një kohë kur disa vende evropiane kanë shprehur shqetësime për veprimet provokuese të Rusisë. Polonia këtë javë e ka akuzuar Moskën për shkelje të qëllimshme të hapësirës së saj ajrore, ndërsa Estonia ka lidhur një sulm me zjarrvënie me inteligjencën ushtarake ruse.

Një ditë më parë, Trump kishte pritur në Florida sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Pas takimit, të dy kanë bërë thirrje që Rusia dhe Ukraina të shmangin veprimet që mund ta zgjerojnë luftën dhe të punojnë drejt një zgjidhjeje paqësore.

Trump ishte takuar me Putinin më 19 nëntor në qytetin kinez Shenzhen, në kuadër të samitit të liderëve të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), ku ishte zhvilluar edhe një takim trepalësh me presidentin kinez, Xi Jinping.

Deklarata e fundit e presidentit amerikan shënon një ndryshim në tonin e tij ndaj Moskës, pasi gjatë takimit në Kinë ai e kishte quajtur Putinin “mikun tim”.

Burimi: Reuters, AFP

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka vizituar në Hagë ish-kryetarin…