Shoqata e të Burgosurve Politikë Shqiptarë shënon 30-vjetorin e themelimit, në Shoqatë anëtarësohen edhe ish-krerët e UÇK-së

26 nëntor 2026 | 23:59

Shoqata e të Burgosurve Politikë Shqiptarë ka shënuar 30-vjetorin e themelimit, në një akademi solemne të organizuar në Prishtinë, në prag të Festave të Nëntorit. Shoqata ishte themeluar më 27 nëntor 1996, në Prishtinë, ndërsa kryetar i saj i parë ishte zgjedhur Berat Luzha.

Në ceremoninë e organizuar në selinë e Shoqatës, përveç drejtuesve, anëtarëve dhe veprimtarëve të saj, i pranishëm ishte edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me stafin e tij.

Një nga momentet më të veçanta të kësaj akademie ishte anëtarësimi solemn i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të tjerëve të dënuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Me propozim të kryetarit të Shoqatës, kryesia, kryetarët e degëve, anëtarët dhe veprimtarët e pranishëm miratuan njëzëri anëtarësimin e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Sali Mustafës dhe Pjetër Shalës në Shoqatën e të Burgosurve Politikë Shqiptarë.

Po ashtu, me votim unanim, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli u shpallën “Nderi i Shoqatës së të Burgosurve Politikë”.

Në përmbyllje të aktivitetit, Shoqata u ka uruar të gjithë të burgosurve politikë shqiptarë të dënuar gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë festat e Nëntorit dhe 30-vjetorin e themelimit të saj.

Në mesazhin e saj, Shoqata ka përcjellë urimet për gëzime, suksese, punë dhe lumturi për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Në prag të 28 Nëntorit, Forca e Sigurisë së Kosovës…