Pse anëtarët e kabinetit të Trump po zgjedhin të jetojnë në rezidenca ushtarake
Gjithnjë e më shumë anëtarë të kabinetit të presidentit amerikan Donald Trump po zgjedhin të jetojnë në rezidenca ushtarake të siguruara, të izoluara nga pjesa tjetër e Uashingtonit. Banesat, disa prej të cilave janë më shumë se 100-vjeçare, janë ndërtuar fillimisht për gjeneralë dhe drejtues të lartë ushtarakë, por sot po strehojnë një numër të pazakontë zyrtarësh civilë të administratës amerikane.
Rreth gjashtë anëtarë të kabinetit të Trump jetojnë aktualisht në këto ambiente, një shifër e lartë krahasuar me administratat e mëparshme, kur ishte e rrallë që zyrtarët e lartë civilë të zgjidhnin banesa brenda bazave ushtarake.
Arsyeja kryesore lidhet me shqetësimet për sigurinë, për shkak të rritjes së dhunës politike brenda SHBA-së dhe kërcënimeve nga shtete të huaja. Sipas raportimeve të CNN, Irani po harton plane për të goditur zyrtarë të lartë të administratës Trump në Uashington, përmes shpërthimit të një bombe radioaktive të tipit “dirty bomb” ose përdorimit të armëve kimike.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kjo tendencë mund të vazhdojë edhe në administratat e ardhshme, pavarësisht nëse ato drejtohen nga republikanët apo demokratët. Sipas tyre, izolimi i drejtuesve politikë në ambiente të kontrolluara nga ushtria rrezikon të dobësojë traditën demokratike, sipas së cilës zyrtarët civilë jetojnë mes qytetarëve dhe janë pjesë e komunitetit.
Ndërsa Trump ka ndërmarrë disa nisma për të ndryshuar kryeqytetin, përfshirë dislokimin e Gardës Kombëtare, ndërtimin e një salle të re në Shtëpinë e Bardhë dhe ndërhyrjet në një fushë publike golfi, administrata e tij po rezulton më e izoluar nga qyteti se çdo administratë e mëparshme.
Thomas Kahn, drejtor i Qendrës për Studimet e Kongresit dhe Presidencës në Universitetin Amerikan, thotë se zyrtarët e lartë kanë qenë gjithmonë të rrethuar nga masa sigurie, por tashmë po largohen edhe nga lagjet ku jetojnë qytetarët e zakonshëm. Sipas tij, kjo rrit izolimin e drejtuesve publikë nga shoqëria.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se disa anëtarë të kabinetit nuk mund të jetojnë në banesa të zakonshme në qytet për shkak të kërcënimeve të drejtpërdrejta ndaj sigurisë së tyre. Ai shtoi se këta zyrtarë kanë kontribuar edhe në përpjekjet e administratës për ta bërë Uashingtonin më të sigurt.
Megjithatë, zhvendosja e tyre në rezidenca ushtarake ka ngritur pikëpyetje edhe në Kongres. Komisioni për Shërbimet e Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve i ka kërkuar Pentagonit të paraqesë deri në pranverë një raport mbi zyrtarët e emëruar politikisht që jetojnë në këto banesa. Raporti duhet të përfshijë kërcënimet që kanë justifikuar zhvendosjen, bazën ligjore të këtij vendimi dhe kostot e qirasë.
Kongresmeni demokrat George Whitesides, i cili kërkoi këtë raport, tha se është e nevojshme të verifikohet nëse zyrtarët politikë paguajnë çmime të drejta për banesat që janë parashikuar fillimisht për personelin ushtarak.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, është një nga zyrtarët e fundit që është zhvendosur në një bazë ushtarake. Ai ka lënë rezidencën e tij në lagjen Georgetown për t’u vendosur në një ambient të siguruar në Uashington. Në një intervistë për CNBC, Bessent deklaroi se kërcënimet nga Irani ndaj jetës së tij e kishin detyruar të merrte këtë vendim. Ai ka udhëhequr fushatën e presionit ekonomik ndaj Teheranit përmes sanksioneve të gjera.
Edhe Prokurori i Përgjithshëm, Todd Blanche, është zhvendosur së fundmi në një bazë ushtarake për arsye sigurie, ndërsa paraardhësja e tij, Pam Bondi, kishte jetuar gjithashtu në një bazë gjatë vitit të kaluar.
Përveç kërcënimeve nga jashtë, disa zyrtarë janë shqetësuar edhe për dhunën politike brenda vendit, veçanërisht pas vrasjes së aktivistit konservator Charlie Kirk dhe shtimit të kërcënimeve ndaj figurave publike.
Shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, dhe bashkëshortja e tij, Katie, u zhvendosën vitin e kaluar në bazën ushtarake Fort McNair, së bashku me katër fëmijët e tyre. Ata u larguan nga banesa në Virxhinia pasi një grua protestoi përpara shtëpisë së tyre dhe shpërndau fletushka me adresën e familjes. Shtëpia e Bardhë deklaroi se familja ishte bërë objekt i një fushate kërcënimesh dhe përndjekjeje.
Zhvendosja në këto rezidenca nuk është pa kosto. Zyrtarët paguajnë qira, e cila zakonisht nis nga rreth 4,500 dollarë në muaj, në varësi të banesës. Çështja e kostove ishte bërë objekt debati edhe vitin e kaluar, kur u zbulua se ushtria po planifikonte të shpenzonte 137,297 dollarë për riparime dhe përmirësime në banesën e Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, në Fort McNair.
Praktika e strehimit të zyrtarëve civilë në baza ushtarake nisi të marrë formë gjatë presidencës së George W. Bush. Ish-sekretari i Mbrojtjes Robert Gates ishte i pari që u vendos në një rezidencë ushtarake, në një banesë historike pranë Departamentit të Shtetit. Në vitin 2008, Pentagoni kërkoi ndryshimin e ligjit për të ulur kostot e qirasë, duke argumentuar se përdorimi i sigurisë ekzistuese të bazave ushtarake kursente para për taksapaguesit.
Kongresi e miratoi ndryshimin, duke bërë të mundur që sekretarët e Mbrojtjes të paguanin një qira vetëm 5% më të lartë se ajo e një gjenerali ose admirali me katër yje. Megjithatë, kur Mike Pompeo, sekretar i Shtetit gjatë mandatit të parë të Trump, kërkoi të jetonte në të njëjtën rezidencë, Marina Amerikane e konsideroi kërkesën problematike për arsye ligjore, financiare dhe etike, pasi banesa mund t’i hiqej një ushtaraku që kishte të drejtë ta përdorte.
Sot, këto rezidenca janë kthyer në një zgjedhje gjithnjë e më të përhapur mes drejtuesve të administratës Trump. Në Fort McNair, Stephen Miller, Marco Rubio dhe Pete Hegseth janë fqinjë në një zonë të njohur si “Rruga e Gjeneralëve”, ku ndodhen banesa të rezervuara zakonisht për drejtuesit e lartë ushtarakë.
Ambienti është plotësisht i rrethuar dhe i kontrolluar, me dyqane dhe ambiente sportive brenda territorit. Megjithatë, sipas ekspertëve, kjo siguri e shtuar ka edhe një kosto sociale: largimin e zyrtarëve nga jeta e përditshme e qytetarëve. Ndërsa kërcënimet ndaj figurave publike vazhdojnë të shtohen, ata parashikojnë se gjithnjë e më shumë drejtues politikë mund të zgjedhin të jetojnë pas portave të mbyllura të bazave ushtarake.



